Partizani fitoi 8-1 ditën e sotme përballë Luftëtarit, duke thyer mallkimin e 6 ndeshjeve të kaluara, ku kishte mundur të marrë vetëm një pikë. Rikthimi tek 3 pikëshi u bë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Partizani shënoi 8 herë në portën e gjirokastritëve.
Cinari tundi 4 herë rrjetën e Luftëtarit, duke shkuar në 9 gola në renditjen e përgjithshme të golashënuesve. Por kjo fitore nuk e zbeh zhgënjimin e tepërt që kryesia ka për sezonin e Partizanit. Drejtuesi sportiv i të kuqve, Olsi Rama, ka deklaruar për Syri TV, se pavarësisht fitores së shkëlqyer, ky sezon është një dështim mjaft i madh për skuadrën e tij. Rama gjithashtu shton se edhe pse janë në garë për Europën, çdo ndeshje duhet marrë seriozisht, pasi një gabim do të rikthente pesimizmin.
“Për ne çdo ndeshje ka karakteristikat e veta, ndaj ne e kishim përgatitur sikur po luanim me një rival që mund të ishte në krye. Luajtëm të përqendruar, të vendosur, dhe morëm një fitore të merituar. Sigurisht që është një sezon zhgënjyes për ne. E nisëm mirë sezonin me fitimin e Superkupës, por nuk kemi ecur ashtu siç duhet në fazën e tretë. Tani kemi 41 pikë dhe jemi në garë për në Europë. Megjithatë duhet të vlerësojmë çdo ndeshje që në fund të mos përzihemi në “ujërat e pista” të fundit të klasifikimit që do të na kompromentonte komplet sezonin.”- u shpreh Olsi Rama. /Sport Ekspres/