Gil Manzano Jesus do të jetë gjyqtari kryesor që do të arbitrojë ndeshjen e Shqipërisë kundër Francës ditën e shtunë. Spanjolli ka një eksperiencë të madhe në arbitrim, ku përveç ndeshjeve të kampionatit spanjoll ka gjykuar edhe në kompeticionet europiane.
Gjyqtari 35 vjeçar nuk heziton gjatë për të nxjerrë kartonin nga xhepi i tij, duke e dënuar kështu lojën e ashpër. Një fakt ky që u vu re edhe në ndeshjen e fundit që Gil Manzano ka arbitruar, ku në përballjen mes Villareal dhe Real Madrid ndëshkoi dy herë me karton të verdhë lojtarin Bale brenda harkut kohor të dy minutave. Karoni i parë erdhi në minutën e 92 të takimit ndërsa i dyti në të 94-tën, për të nxjerrë kështu nga fusha e lojës uellsianin.
Ndërkohë në statistikat e spanjollit vihet re se ky i fundit jep mbi 4 kartonë për ndeshje, gjë e cila nuk shkon në favor të kuqezinjve, duke pasur parasysh se përballë do të kemi kampionët e botës. /Sport Ekspres/