Thomas Strakosha është larguar për herë të parë nga ana e trajnerit Inzaghi, që e ka pasur portierin shqiptar edhe tek të rinjtë e Lacios. Një njohje e vjetër mes tyre që e avantazhoi gardianin kuqezi që të fitonte balotazhin me Marketin.
Pas një kohe të gjatë pa konkurrencë, Pepe Reina erdhi për të kërcënuar seriozisht vendin e Strakoshës. Portieri 38-vjeçar po ia del më së miri teksa është preferuar nga Inzagi në ndeshjet kundër Dortmundit dhe në takimet e Serisë A. Përpara takimit kundër Club Brugge në “Champions League”, Reina ka folur për herë të parë mbi këtë temë dhe duket se do të jetë sërish titullar në finalen e fundit më të rëndësishme të lacialëve në këto vitet e fundit.
“Unë nuk i kam marrë asgjë Strakoshës, ne të gjithë punojmë për të luajtur. Marrëdhënia ime me Strakoshës është e jashtëzakonshme. Ne mësojmë nga njëri-tjetri, unë i jap një dorë për ta ndihmuar, jam gjithmonë i gatshëm. Avantazhi është se secili prej nesh mund të luajë në çdo kohë dhe kjo është një vlerë, nuk ka vend për polemika. Gjithashtu më duhet të them se përpjekjet e Strakoshës janë të jashtëzakonshme”, përfundoi Reina. /Sport Ekspres/