Erling Haland rezultoi një makth për ekipin e Lajpcigut. Sulmuesi i Mançester Sitit shënoi 5 gol në fitoren 7-0 kundër skuadrës gjermane. Norvegjezi ishte vetëm një gol larg thyerjes së rekordit të Lionel Mesit, por Pep Guardiola vendosi ta largojë nga fusha e lojës në minutën e 63-të. Një veprim që në perceptimin e opinionit sportiv u përcoll si një tentativë e pastër e spanjollit për të mbajtur të pandryshuar rekordin e Mesit.
Haland u largua nga loja dukshëm i zhgënjyer, teksa pati edhe një komunikim të shkurtër me trajnerin e “qytetarëve“ në momentin që po i drejtohen pankinës. I pyetur nga mediat se cilat ishin fjalët që shkëmbyen, 22-vjeçari zbulon se i bëri të qartë Guardiolës se dëshironte të shënonte 6 gola, minutat e aktivizimit nuk janë në dorën e tij.
“I thashë Pep Guardiolës kur u zëvendësova: ‘Do të doja të shënoja dy hat-trike‘! Por çfarë mund të bëj unë? E dua vërtetë këtë kompeticion, e dua vërtetë Ligën e Kampionëve“, ka thënë Erling Halandi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/