E kuptuat tani se përse dështojnë ekipet e Superiores në Europë? Kërkojmë të zbërthejmë ekuacione, e gjeni te Erzeni-Vllaznia 1-0

Përse dështojnë vallë ekipet e Superiores në Europë? Çfarë shkon keq me ne në këtë rrugëtim,  kur vit pas viti pritshmëritë janë gjithmonë e më të larta? Para se ta bëjmë temën kaq të vështirë dhe të mundohemi të zbërthejmë ekuacione, le t’jua thjeshtojmë pak me një shembull të javës së parë.

Erzeni-Vllaznia 1-0! Një skuadër e cila deri pak javë para nisjes së Superiores nuk e dinte ende nëse do të merrte pjesë për shkak të problemeve të mëdha. Një skuadër e cila ndryshon në 95% përbërjen nga sezoni i shkuar. Një skuadër e cila grumbullohet fare pak kohë para fillimit të kampionatit për të bërë stërvitje, arrin të mund kundërshtarin që vjen nga Europa, synon titullin kampion dhe e kryen fazën përgatitore jashtë Shqipërisë. Për më tepër, pa i vjedhur asgjë.

Sa mund të qëndrojë llogjika e këtij rasti? Ndoshta mund të qëndronte nëse do t’ia vishnim fatit që u tregua i padrejtë me Vllazninë, por as kështu nuk mundet. Ekipi i Josës nuk po arrinte që të shkëmbente dy pasime dhe jo më të rrezikonte portën kundërshtare. Zgjidhja ishte gjithmonë me topa të gjatë që shkonin pa adresë.

Kjo nuk ndodh as në kalçeto dhe jo më një futboll profesionist. Një ekip që ka prej kohësh së bashku arrin gjithmonë që ta mund një tjetër që formohet rishtazi, madje edhe kur këta të fundit janë më të mirë në letër. Imagjinoni rastin e kundërt!

E në fakt këtu kemi shëmbëlltyrën e asaj që ndodh në Superiore prej kohësh. Ashtu si edhe në sezonin e shkuar kur në javët e fundit, 5 ekipet e vendeve të fundit po arrinin të fitonin ndaj atyre të pjesës së sipërme të tabelës. Tërësisht jashtë logjikës, po aq sa edhe Tirana që do e prishte dy herë festën pasi nuk po arrinte atë fitore të munguar. E thënë në pak fjalë ajo që mungon është vazhdimësia, skuadrat tona kanë luhatje të frikshme. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *