Këtë të premte, shumë djem të moshës së tij do të jenë në shkollë. Me lehtësimin se vjen fundjava dhe do të kenë kohë të lirë. Në shkollë do të shkojë edhe Emil Smith Roui, ylli i ri i Arsenalit. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, në fundjavë nuk do të jetë pushim, pasi duhet të zbresë në fushë me “topçinjtë”.
I lindur në vitin 2000, vetëm 18-vjeçar dhe në vëmendjen e të gjithëve. Cilësohej një talent me potencial, deri në verën që lamë pas, kur Unai Emeri e grumbulloi me ekipin në turneun në Azi. “Ke ditëlindjen, si dhuratë do të nisesh me ekipin”. Ishte e shtunë dhe punonjësit te Arsenali duhet t’i kenë thënë pak a shumë këto fjalë.
Faktin që i’u bashkua me ekipin e parë për udhëtimin në Singapor e mësoi vetëm ditën përpara nisjes. Në distancën e katër muajve nga ai grumbullim, Roui jo vetëm qëndroi në ekipin e parë, por vendos rekorde te londinezët. Më 20 shtator Emeri e aktivizoi në 20 minutat e fundit të ndeshjes së Europa League, të fituar 4-2 ndaj Vorskla Poltavës.
U bë lojtari i parë i lindur në vitin 2000 që debutoi me Arsenalin. Trajneri i dha besim edhe në ndeshjen e fituar 3-0 në trasfertën në Azerbajxhan ndaj Karabakut të Ansi Agollit. Këtë herë, Emil Smith Roui u aktivizua si titullar, prej rrotacionit të përdorur nga skuadra angleze dhe vendosi një tjetër primat.
Në minutën e 59-të shënoi golin e dytë për “topçinjtë”, pas avantazhit të Sokratis, duke bërë që praktikisht ndeshja të mbyllej, ndërsa rrjeta e tretë u realizua nga talenti tjetër, Genduzi. Me golin e shënuar në Azerbajxhan, Roui u bë lojtari i parë i Arsenalit i datëlindjes 2000, që shënon një gol në një aktivitet zyrtar.
Këto janë vetëm rekordet e para të një djaloshi, karriera e të cilit parashikohet të jetë ajo e një kampioni të madh. Jo rastësisht 18-vjeçari krahasohet me De Bryjne, edhe sepse i përshtatet prej rolit të tij si mesfushor qendre dhe organizator. Arritje të merituara për talentin që Arsenalin e ka në zemër dhe që për të luajtur aty ka refuzuar ofertat nga Totenhemi dhe Barcelona.