Teksa jemi ende në këtë kohë të izolimit për shkakun e Koronavirusit, prej kohësh kemi bërë të ditur se një film i bukur italian do të bënte tifozët të dashuroheshin me të. Tashmë është bërë publikimi i plotë në “Netflix” dhe tifozët nuk duhet ta humbasin, për asnjë arsye të vetme.
“Ju nuk do kuptoni nëse nuk jeni njeri prej nesh”, është gjithmonë shprehja e ultrasve, për çmenduritë në dukje dhe mënyrën sesi të tjerët perceptojnë sjelljet e tyre, por në fakt është dashuri dhe sakrificë e gjitha për stemën.
Sa i përket filmit “Ultras”, bëhet fjalë për Sandron, aktorin kryesor në film që i përket grupit “Apache” të Napolit. Mes jetës që nuk ka kurrë qetësi, sherrit dhe policisë, në një moment ultrasi që është në një moshë të konsiderueshme, 50-vjeç, tundohet për të qenë si gjithë të tjerët, i qetë dhe të gëzojë familjen e tij. Por asnjëherë nuk mund të rezultojë kështu, pasi kishte lindur për të qenë një ultras dhe në fund ka shumë dramë. Pavarësisht ndërrimit të jetëve që ndodhin mes protagonistëve të filmit, kënga vazhdon të këndohet, madje edhe më fortë. Pjesën tjetër, duhet ta shijoni vetë… /Sport Ekspres/