Kukësi-Vllaznia ishte supersfida e ditës së sotme dhe ndeshja e dytë e kësaj jave që pritej si më e bukura për t’u ndjekur, pas derbit të kryeqytetit. Por nëse jemi zhgënjyer nga niveli i ndeshjes së kryeqytetit, në “Elbasan Arena” kishte edhe më keq.
Të dy ekipet ishin dukshëm nën nivel me një ndeshje që u mbyll në barazimin 0-0 thuajse pa nisur kurrë. Mes shumë mungesash Vllaznia që i kënaqet më tepër kësaj pike, megjithëse mund të bënte më tepër në lojë.
Pjesa e parë u mbyll thuajse pa asnjë rast të vetëm në portë. Në të dytë, Gjici është ngritur në këmbë dhe dukej tërësisht i pakënaqur nga ekipi i tij. Në minutën e 75 do të nisnin edhe rastet e para të rrezikshme, me Aralicën që iu afrua golit me një gjysmë rroveshatë, por do të ndalej nga Tafas.
Por edhe në këto momente rasti u krijua pas krosimeve të shumta dhe pa ide që përfundonin në zonë, duke u parë si zgjidhja e vetme. Mustedanagic iu afrua dy herë portës së Kukësit në bazë të cilësive individuale, ndërsa në fund të dy ekipet ndanë nga një pikë në një ndeshje që ishte “ninulla perfekte” për gjumin e pasdites. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport:
Diego Longo nuk pranon që të dalë në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Pasi ka marrë edhe aprovimin e presidentit Gjici, Longo nuk është shfaqur për të dhënë intervistën.
Brdaric: “Barazimi është i mirë, po luanim ndaj një kundërshtari direkt për Europën dhe në transfertë. Nuk duhet të harrojmë se kishim disa mungesa dhe prandaj jam i kënaqur. Kur merr pikë ndaj Kukësit është mirë. Për mua ishte në rregull ajo që kemi parë sot. Duhet të flasim më shumë për ata që ishin në fushë dhe jo ata që mungonin. Kemi bërë disa gabime në pasime dhe e jepnim më lehtë topin për rivalin. Në mbrojtje ishim shumë mirë”.
Krymi: “Tifozët shkodranë janë të mërzitur nga ndeshja? Si kanë ardhur gjërat, është më mirë që të shohim pikët se ndeshjet e bukura. Kemi bërë shumë ndeshje të bukura dhe nuk kemi marrë pikë. E kemi treguar veten edhe me Tiranën, por për të dalë kampion duhet të jesh i qartë para porte”.