Agustin Kola, një figurë ikonë e futbollit shqiptar, ka ngritur zërin dhe ka reaguar ndaj Andi Lilës. Duke u nisur nga mënyra sesi po punohet me Sindikatën e Futbollistëve Shqiptarë, Kola i shprehet lojtarit të Tiranës se jo gjithçka rrotullohet rreth lekut.
Ndërkohë që tregon edhe një rast kur një futbollist i Kategorisë së Parë duhet të paguajë 250 mijë lekë për të qenë i anëtarësuar te Sindikata e Futbollistëve. Gjithashtu Kola ka thënë se do të reagonte shumë më herët, por po priste vetëm momentin për të konfirmuar nëse kishte gabuar apo jo në nuhatje, pasi sipas tij gjithçka po bëhet për shifra monetare dhe jo për interesat e futbollistëve. /Sport Ekspres/
Reagimi i plotë
Dy fjalë për ish futbollistin, tashmë sindikalist, Andi Lila
I dashur Andi, jam gëzuar shumë kur mësova muaj më parë nismën tënde për krijimin e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë. Besoja shumë që do të ngrije zërin mbi shumë problematika të mëdha që mungojnë te ta, që nga kushtet e stërvitshmërisë e deri te ana financiare. Më vjen shumë keq të të them se nga dita e parë e deri më sot, i vetmi shqetësim i joti kanë qënë dhe mbeten paratë. Kështu filloi dhe rruga sindikaliste, si ato sindikalistë që kanë 30 vite që kujdesen vetëm për PARE. Aktiviteti jot i parë më la një shije të hidhur. Pasi more stadiumin pa paguar asnjë kacidhe dhe le jashtë skuadre emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, premtove që do të ndihmoje të dëmtuarit nga tërmeti. Kë ndihmove? Premtove transparencë dhe nuk dimë akoma sa lek mblodhe, sa shpenzove, kë ndihmove. E ke nisur keq i dashur Andi.
Puna jote e parë me zemër sindikalisti tregoi fare mirë se ti nuk e paske në plan ti ndihmosh futbollistët. Po prisja mos kisha gabuar në nuhatje dhe doja të të jepja kohë të më thoje që kam nuhatur keq, por e vërtetova pak ditë më parë. Një miku im më tha se një lojtar i Kategorisë së Parë për tu antarsuar te Sindikata jote duhet të paguajë 250 mijë lek. Unë i dashur Andi mendoj se jo çdo gjë është lek, lek, dhe vetëm lek. Problemet e futbollistëve dhe përfaqësimi i tyre duhet bërë edhe pa paguar lek për tu bërë antar nderi në Sindikata që punojnë për lekë.
Bëhu i besueshëm i dashuri Andi dhe besoj se në atë moment do të të marrin seriozisht. Agustin Kola ka qënë gjithmonë i drejteperdrejtë dhe nuk është përdor nga njeri.