Në orën 13:45 janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e radhës në Kategorinë Superiore. Teuta ka arritur që të fitojë kundër Egnatias me shifrat 0-1 në transfertë, për të marrë triumfin që i jep disi qetësinë për t’iu shkëputur maktheve të zonës së ftohtë. Goli i vetëm u shënua nga Daci në pjesën e parë, teksa shumë polemika ka pasur te Egnatia për një prekje të topit me dorë të Aleksit, teksa u lejua vazhdimi i lojës.
Nga ana tjetër, Laçi është ndalur në barazimin 1-1 ndaj Kastriotit. I pari ishte Guindo që gjeti rrjetën dhe në momentin më të mirë të kurbinasve, krutanët barazuan me Kainën në të 58. Të gjitha aksionet e tjera të rrezikshme i kanë takuar Laçit, madje Mazrekaj goditi edhe traversën nga goditja e dënimit. Por në fund të dy ekipet kanë ndarë nga një pikë, duke sjellë festë edhe te Tirana në kryeqytet për ndalimin e Laçit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Ramadani: “Na ka kapur euforia pasi kishim 3 ndeshje pa humbje. E kam parë në stërvitje. Nuk është vetëm faji i lojtarëve, por edhe i joni që nuk i menaxhuam si duhet euforinë. Ne ishim me dy fytyra sot, në pjesën e parë ishim më keq dhe në të dytën u përmirësuam. Nuk fitohet ndeshja me një pjesë. Por si ishim ne me dy fytyra edhe arbitri ishte me dy fytyra. Nuk dua të flas shumë për këtë pjesë, por loja u ndalua shumë herë në pjesën e parë dhe u nervozuan lojtarët. Gjithashtu edhe një penallti e padhënë për ne. Por kjo është në plan të dytë, le ta shohim fajin te vetja”.
Cela: “E nisëm shumë mirë ndeshjen, kishim qarkullim topi. Por nuk më pëlqeu shumë ai lloj qarkullim i topit pasi kishim punuar që të kapnim thellësinë. Laçi ishte i pozicionuar me forca të shumta mbrapa dhe donte të kapte thellësinë nga mbrapa shpine. Aty na goditën dhe pastaj ne patëm probleme. Është normale që ndikon, për më tepër edhe lodhja. Klubet tona nuk janë aq profesionale sa lojtarët të rigjenerohen dhe të jenë gati pas 4 ditësh. Tani e kemi fatin në këmbët tona. Vjet Kastrioti luajti mirë në fazën e parë dhe në fazat e fundit bëri 15 humbje rresht”.
Josa: “Më vjen keq që nuk morëm pikët e plota. Terreni ishte më i mirë se e prisja, të linte që të luaje futboll. Duhej të ishim më këmbëngulës pasi e pësuam. Më e keqja është që një skuadër të vjen dy herë në portë në pjesën e dytë dhe të shënon një gol, kjo më mërzit. Nuk ka problem trysnie te ne. Ashtu si kemi fituar ne në ndeshje që mund të barazonin rivalët, ashtu edhe ne nuk kemi fituar në këto dy ndeshje me Egnatian dhe Kastriotit që duhej t’i kishim fituar”.