“E kam ndarë mendjen, Kastriotin nuk e duan më në Superiore”, Çela shfryn ndaj arbitrit: Na bëri një surprizë të hidhur në fund, u stopua topi me dorë te goli

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 31-të të “Abissnet Superiore“-s. Egnatia ka mposhtur me shifrat e thella 4-0 Vllazninë në “Loro Boriçit”. Rrogozhinasit i zbehin shpresat për Europë shkodranëve, teksa tashmë shkëputen në 4 pikë prej tyre. Në krahun tjetër Tirana ka marrë një fitore në minutën e fundit të kohës së rregullt kundër Kastriotit. Bardheblutë shënuan me anë të Hilës, duke ruajtur distancën me Partizanin në krye të tabelës. Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Ti Bo Gol” në “Oversport”

Çela (Kastrioti): “Nuk dua të bëj fare analizë tekniko-taktike të kësaj ndeshjeje. Por dal vetëm për respektin tuaj. Çfarë kuptimi ka të bësh analizë kur goli i ekipit kundërshtar erdhi pas një stopimi me dorë?! Arbitri gjatë gjithë ndeshjes ka mbajtur nga ana e Tiranës. Arbitri na bëri një surprizë të hidhur në fund, na nxorri dy lojtarë me të kuq. E pashë pas ndeshjes episodin, sepse u bëra kurioz. Çfarë bënë lojtarët e mi, atë kishin bërë edhe lojtarët kundështarë. Ndjej keqardhje. E kam ndarë mendjen, Kastriotin nuk e duan më në Superligë. Kam parë shumë gjëra në karrierën time, por të nxjerrësh një ekip në kaq mënyrë të dhunshme nuk më ka ndodhur ndonjëherë”.

Sedloski (Vllaznia): “çfarë t’ju them! Fillimisht dua ti kërkoj ndjesë tifozëve. Është një humbje e thellë. Për të gjithë është e vështirë, për lojtarët, për trajnerin. Këtë nuk e kam përjetuar. Dua të uroj Egnatian, kanë qenë vërtetë shumë të mirë. Rezultati është ky. Të gjithëve na dhemb ky rezultat. Nuk kam çfarë të them më tej. Kur rezultati ishte 1-0 u kam thënë që vetëm të mos shpartalloheshim. Pjesa e dytë doli ashtu siç e kisha frikë. Të gjithë kemi dashur të luajmë mirë, të marrim rezutat të mirë, por përballë kishim një kundërshtar shumë të mirë”.

Shehi (Tirana): “E dinim që do ishte një ndeshje e vështirë. E komplimentoj Kastriotit që luan në këtë nivel edhe në këtë pozicion që është. Është vështirësia të gjesh lojtarët e përshtatshëm të luajnë mes dy linjave. Jam shumë i kënaqur me skuadrën. Më shumë më ka pëlyqer kjo fitore këtu, se sa ajo me Shkodrën. Hilës i kam thënë që megjithëse ka kaluar vështirësi, e dua protagonist”.

Tetova (Egnatia): “Ndeshja kishte dy tablo. Në pjesën e parë kishim 25 minuta që folën vetëm me Vllazninë, deri në momentin që ndërruam skemën. Në pjesën e dytë më pas çdo gjë foli për ne. Të luajturit me Duamenën dhe Paulaskën së bashku? Ideja është të mos marrim shumë merita te kjo pjesë, sepse të mësosh dy sulmuesë të luajnë bashkë kërkon një vit. Por niveli i kampionatit tonë t’I mundëson këto gjëra. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, por kemi pasur edhe më parë ndeshje shumë të mira dhe që nuk kemi pasur rezultat si sot, që ishte fantastik. Ne jemi skuadër e re, vetëm këtë vit jemi formuar. Dua të falenderoj çunat nga i pari te i fundit për mënyrën se si më ndjekin mua në stërvitje. Ata ndihen të kënaqur me atë çfarë u bëj unë në stërvitje dhe këtë e tregojnë në fushë. Isha shumë i qetë përpara ndeshjes, i thashë që të qarkullonin topin dhe të gjenin pasimin mes linjave. Në momentin që jemi më intereson vetëm ta shoh topin në rrjetë, nuk më intereson në çfarë mënyre shënohet goli. Goli i Rafaelit ishte ai që i vuri kapakun“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *