Mamadou Tounkara nuk është një emër i padëgjuar për futbollin në Itali dhe Shqipëri. Pasi u pikas tek të rinjtë te Barcelonës, Lacio nuk ngurroi ta merrte menjëherë në kryeqytetin italian. Përshtatja erdhi në mënyrë të menjëhershme, aqsa e ardhmja u konsiderua se do të bazohej në këmbët e këtij sulmuesi.
Jo pak, por 23 gola arriti të shënonte në 61 ndeshje sa i përket ekipit e të rinjëve të Lacios në “Primavera”. Për të mbërritur te dy huazime që nuk zgjatën shumë mes Crotones dhe Salernitanas, atje ku u shënua vetëm një gol ndërsa ishte pjesë e Crotones. Pikërisht goli i parë në futbollin profesionist sa i përket ekipeve të para.
Për të mbërritur te historia e përplasjes që ndodhi në janarin e 2017 ndërsa ky lojtar ishte rikthyer te Lacio. Në atë barazim ndaj Kievos që do të merrej, një prej tifozëve zbriti në fushë për të ofenduar rëndë Lucas Biglia, që asokohe do të ishte pjesë e kryeqytetasve.
Ky i fundit u fut në dhomat e zhveshjes pavarësisht polemikave të shumta. Por me kaq nuk e la Tounkara, që i kërkoi tifozit shpjegime dhe pas dhunës verbale, e godet me shuplakë. Aty do të vinte edhe dënimi prej 12 muajsh mungese që Tounkara mori në fushën e blertë.
Në këtë periudhë, Igli Tare e solli në Shqipëri te Flamurtari këtë sulmues si huazim. U prit me bujë dhe vëmendje të madhe, por nuk arriti të shënonte asnjë gol dhe nuk luajti më shumë se 7 ndeshje. Dy huazime të tjera në Zvicër dhe Sllovaki që rezultuan të dështuara, ndërsa nuk u arritën më shumë se 2 gola të shënuara.
Por një jetë e re ka filluar për Tounkarën, që po përjeton një nisje ëndrash sa i përket sezonit të ri në Serinë C. Me ekipin e Viterbos, që është tetëdhjetë kilometra në veri të Romës, ka arritur të shënojë 3 gola në 2 ndeshje, pra aq sa në gjithë karrierën me ekipet e para. Goli i parë mbërriti në debutim, ndërsa dopieta erdhi në përballjen ndaj Barit, në atë fitore surprizuese që u mbyll në shifrat 1-3. /Sport Ekspres/