E ka kaluar me kohë rekordin e Bogdanit, sulmuesi me këmbën “48” që shkruan historinë e shqiptarëve

Kosova ka bërë një arritje historike teksa ka mundur Islandën dhe është ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve. Pasi e mundën 2-1 në shtëpi këtë kundërshtar, këtë herë dardanët ia kanë dalë në shifrat 1-3 kundër islandezëve në transfertë. Të tre golat janë shënuar nga ana e Vedat Muriqit, i cili padyshim mund të quhet sulmuesi më i mirë i shqiptarëve në të paktën 10 vitet e fundit, duke përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën.

Krahasimet me të kaluarën nuk janë të mira për t’u bërë pasi ndryshojnë rrethanat, por emri i Vedat Muriqit është për t’u shkruajtur në histori. Ky futbollist ka shënuar deri tani plot 31 gola dhe është vetëm 30-vjeç. Kanibali i shqiptarëve nuk i kushton asnjë rëndësi pamjes fizike dhe kurimit të vetes, por ha veten me dhëmbë dhe në fushën e blertë e tregon sesa i vlen lëkura.

Rregullisht gola me Majorkën kundër Barcelonës dhe Real Madridit, rregullisht gola edhe me fanellën e Kosovës. E për të kuptuar sesa shumë janë këto gola, mjafton të përmendim faktin se ka shumë vite që rekordi i golashënuesit te Shqipëria mbahet nga Erion Bogdani, me vetëm 18 gola të shënuar. Që nga ajo kohë, nuk ka dalë ende një sulmues i Shqipërisë që të kalojë shifrën e 18 golave të shënuar nga Bogdani, ndërsa Muriqi, vetëm 30-vjeç, ka shënuar deri tani 31 gola.

Një nuhatës i madh i golit dhe i zonës, padyshimi që Vedati nuk ka konkurrencë. Shumë vite më parë, Muriqi ka kaluar nga Teuta dhe Besa e Kavajës përpara se të niste hapin drejt historisë. Në kohën kur Muriqi do të shkonte te Teuta, trajneri i durrsakëve ishte Gentian Begeja. Disa vite më vonë në Sport Ekspres, Begeja do të kujtonte kohën e Muriqit në Shqipëri.

“Atë vit që ka ardhur te Teuta, kam qenë unë trajner. E mbaj mend, ishim në fazën përgatitore të dimrit. Na e kanë sjellë në skuadër dhe përshtypja e parë që unë krijova ishte: “Çfarë gjiganti”. Numrin e këmbës e kishte “48” dhe për këtë bënim shaka shpeshherë. Kam shkuar urgjentisht te presidenti i ekipit dhe i kam thënë se e donim në skuadër. Jam befasuar atëherë nga ai lojtar dhe kështu ndodhi, e federuam pa e menduar dy herë. Pastaj unë jam larguar nga Teuta, hapësirat e Muriqit ishin të pakta dhe ka shkuar si huazim te Besa e Kavajës

Problemi i lojtarit është që të ketë dëshirën për t’u rritur. Duhet të jesh profesionist dhe ta dashurosh këtë punë që bën. Ndonjëherë është edhe çështje fati, por unë jam i bindur se Muriqi e ka arritur vetëm me punë. Ai ishte kokëulur që atëherë. Nuk  befasohem që ka mbërritur deri në këtë pikë. Nuk është shembulli i parë që del nga Superiorja, por është një shembull për t’u marrë. Pra, asgjë nuk është e paarritshme”, tha Begeja. Ai djaloshi me këmbën me numër 48, sot shkruan historinë e futbollit mbarëshqiptar. /Sport Ekspres/