E gjithë shtëpia e kuqe, Dosti tregon historinë e veçantë: Më donin patjetër, ose hidhnin në erë “Uzinën e Laçit”

Edmond Dosti është një nga figurat ikonë të Partizanit dhe futbollit shqiptar, ndërsa vazhdon të qendrojë pranë kësaj skuadre edhe në largësi. Nuk i intereson me patjetër një post tek të kuqtë që kjo figurë e njohur e sportit të jap këshillat e tij, me të vetmin interes, që të shohë Partizanin sa më lartë të jetë e mundur. Ashtu sikurse e përjetoi edhe në kohën e Skënder Gegës, ende i freskët kujtimi, ku u fitua titulli kampion. Në një intervistë për “Fan Zone” ka kujtuar me shumë nostagji edhe kohën kur ka qenë pjesë e Partizanit si futbollist.

“Nuk do të kishte kuptim kjo intervistë pa bluzen e Partizanit, kam dhënë shumë për këtë skuadër dhe duhet që të përfaqësohemi gjithmonë me ekipin ku kemi luajtur. Madje po ta shihni shtëpinë time është e gjitha në ngjyrat kuqezi.

Mua nuk m’u dha shumë hapësira tek të rinjtë e Partizanit dhe ika te Laçi, për të treguar se e meritoja mundësinë për të mbajtur veshur atë fanellën e kuqe. Doja të tregoja cilësitë e mia në Superligë. Kam qenë edhe te Kastrioti, por në atë kohë ishte periudhë e vështirë pasi po ndërrohej sistemi.

Madje mbaj mend që në Laç thanë që: “Ose merreni Dostin këtu, ose do të hedhim Uzinën e Laçit në erë”. Pastaj më kanë marrë dhe ishte kryetari i qarkut Kalemi që erdhi në Gjirokastër dhe më ka dërguar në Laç. Shënova disa gola atje dhe u thashë që dua të iki te Partizanit. Aty dolën laçjanët dhe më thanë: “Po, te Partizani mund të shkosh dhe e ke derën e hapur”.

Doja që të provoja diçka në karrierën time për të shkuar në Europë dhe prandaj ika te Olimpik Ljubjana. Aty në kohë të shkurtër arrita që jo vetëm që të kthehesha si titullar, por me një bashkëdhetarin tim Bozgon, lamë shenjën tonë. Atë vit dolëm kampion, morëm Kupën dhe shënuam nga 22 gola secili.

Partizani ka bërë gabim në trajner dhe merkato. Nuk kishte se përse e largonin Skënder Gegën. Partizanit i duheshin dy sulmues rrace, një mesfushor organizator dhe një qendërmbrojtës. Nuk erdhën dhe gabuam në merkaton verore dhe dimërore. Duhet të kërkohet edhe falje, pasi duhet kërkuar kur është mundësia. Partizani duhet të reflektojë edhe për lojtarët që po luajnë mirë në ekipet e tjera”, ka thënë Dosti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *