Në ditën e sotme dhe në orën 11:00 ishte paralajmëruar një konferencë për shtyp nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Jo e zakontë pasi rrallëherë jemi mësuar që të kemi dalje të tilla, por këtë herë kreu i futbollit në vendin tonë kishte disa pika për të sqaruar, kryesisht për analizën rreth Kombëtares.
“Jemi këtu sot për të bërë një analizë rreth Kombëtares. Mendova se do të ishte më mirë sesa dalja në media të caktuara, për të qenë në këtë Konferencë Shtypi dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Pavarësisht se kemi qenë në periudhë COVID, ne nuk jemi ndalur me organizimin e ndeshjeve. Shqipëria U-19 ka zhvilluar 70 ditë të stërvitje që janë shumë. Shqipëria U-21 ka fituar dhe humbur përgjysmë ndeshjet, por ka shumë element që janë gati që tani për Kombëtaren A.
Le të kalojmë te ekipi i parë tani. Vendi i tretë është një sukses për gjithëkënd që e sheh me objektivitet, kemi grumbulluar aq pikë sa kurrë më parë. Ne kemi luftuar për një vend në Play Off, por objektivi ynë ishte vendi i tretë. Ndaj Polonisë nuk kishim fatin dhe luajtëm pa disa futbollistë kryesorë. Nota për ekipin kombëtar? Edhe finalisti i kompeticioneve europiane për mua nuk merr notën 10, por me bindjen time merr notën 8. Kontrata me Rejën përfundon në 30 nëntor të vitit 2022 dhe kemi shumë kohë deri atë për të menduar. Ne kemi krijuar një projekt të mirë për të ardhmen.
Lojtarë kapricoz? Edhe në një familje me tre pjesëtarë, ka debate, por është dëshira për të ecur më shumë. Në vija të përgjithshme, ne kemi ekip të mirë, kemi çuna të edukuar. Për ndeshjen me Anglinë, bëhet fjalë me Armando Brojën, e di. Nuk ka sesi një trajner apo president Federate nuk mund të lërë pa bërë më të mirën për të marrë maksimumin.
Broja ishte i dëmtuar dhe nuk ishte pjesë e Shqipërisë. U bashkua një ditë para ndeshjes, bëri vetëm një ditë stërvitje individuale. Për arsye se nuk ishte i bindur për gjendjen e tij fizike dhe për respekt të të tjerëve u la jashtë dhe koha i dha të drejtë trajnerit. Broja kërkoi vetë trajnerit që të shkonte te Southampton që të vazhdonte të kurohej në Angli para Andorrës. Të gjitha të tjerët janë sajesa, Broja është një super talent dhe do të na ndihmojë edhe për 10 vitet e ardhshme”, tha Duka. /Sport Ekspres/