Nga Klaudio Ndreca
Më të papërgatitur kriza e Koronavirusit ka gjendur kampionatin në Holandë. Nëse në La Liga dhe Seria A ka konkurrencë të madhe për titullin dhe ndahen ekipet në 1 ose 2 pikë, për rastin e sipërpërmendur ishte një ironi e fatit.
Ajaksi ndodhej në vendin e parë së bashku me Az Alkmarin, me të njëjtin grumbullim pikësh. Por në bazë të rregullit të golavarazhit, Ajaksi kryesonte kampionatin. Gjithsesi nga ana tjetër ishte Az Alkmari që e kishte mundur në të dyja ndeshjet direkte.
E kur qeveria mori vendimin që futbolli të shtyhej deri në shtator, për të mos zhvilluar asnjë ndeshje, Federata Holandeze e Futbollit ishte në mes të një vendimi të vështirë. Kjo pasi të gjitha variantet dhe zgjidhjet që do të merreshin do të kontestoheshin fuqishëm.
Vetëm pak minuta më parë është njoftuar edhe vendimi përfundimtar për kampionatin. Kështu u vendos disi në mënyrë të çuditshme, teksa Ajaksi u shpall si ekipi i vendit të parë, por jo kampion. Pra duke shkuar në “Champions League” për sezonin e ardhshëm, por nuk do të shënohet si një ekip kampion. Në fakt kjo është hera e parë që nga sezoni 1944-1945 që në elitën e futbollit të Holandës, nuk e ka një skuadër kampione. /Sport Ekspres/