Një zhurmë e madhe erdhi pak ditë më parë, atje ku në shortin e Kupës së Serbisë, Crevena Zvezda do të ndeshej ndaj Trepçës. Këta të fundit janë një ekip me bazë në Kosovë, por që militojnë në kategoritë e ulta serbe.
E fqinjët si për t’i hedhur benzinë zjarrit, tentuan që ndeshjen e parë ta luanin në territorin e Kosovës, në Mitroviçë, megjithëse ishte një ndeshje që nuk kishte asnjë lidhje me trevën shqiptare, pasi ishte Kupa e Serbisë.
Reagimi erdhi i menjëhershëm nga ana e FFK-së, që pati kontakte me institucionet e vendit, por edhe me UEFA-n, për të mos lënë që një gjë e tillë të ndodhte. Mesa duket ka ardhur edhe hapi pas nga ana e serbëve, pasi kjo ndeshje pritet të zhvillohet në Beograd. “Bllokadë Zvezdës për ndeshjen në Zveçan. Ndeshja me Trepçën është e pamundur të luhet në Kosovë dhe me shumë gjasa luhet në Beograd”, shkruhet nga ana e “Kurir”. /Sport Ekspres/