Kukësi ka arritur që të marrë një tjetër fitore me Dobin, këtë herë kundër Bylisit, 2-0. Ballshiotët e kanë nisur Superioren në mënyrë fantastike dhe për këtë arsye, triumfi i verilindorëve është për t’u vlerësuar. Fillimisht Dobi ka bërë një punë të madhe me mbrojtjen që nuk është vendosur shumë në vështirësi nga kundërshtarët.
Goli i parë u shënua nga Ferreira në minutën e 26. Mbrojtësi i dalë nga Porto priti jo pak për akordimin e golit, pasi VAR e verifikoi dhe e quajti të rregullt rastin, pas anulimit të parë. Ndërkohë goli i dytë erdhi nga ana e Shqiprim Taipit në minutën e 60.
Nga krahu tjetër Kastrioti ka fituar me përmbysje kundër Teutës. Goli i parë do të vinte nga durrsakët me perlën e Karabecit nga distanca. Vetëm pak minuta më vonë ishte Karakaci që iu përgjigj me tjetër super gol. Përmbysja erdhi brenda 45 minutave pasi Morbek arriti të kalonte Kastriotin në avantazh duke i dhënë fitoren 2-1. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Bellai: “Nuk na mundi Kukësi, ia falëm ne fitoren me dy gabime. Jam shumë i kënaqur me djemtë. Vetëm na mungonte qetësia dhe finalizimi. Bëri mirë që erdhi kjo humbje që të rrimë me këmbë në tokë. Nuk jemi një ekip që mund të fitojë çdo ndeshje. Futbolli është lojë gabimesh, kemi gabuar të gjithë. Goli i Kukësit? Ishte gabimi im që u ankova. Duket sikur të hanë hakun, por kishin të drejtë, VAR e tregoi se goli ishte i qartë. I kërkoj falje arbitrave. Kënaqësia në vetvete të sjell në këto rezultate, ky ishte gabimi ynë, se besuam shumë në vetvete. Menduam se meqë i shënuam 4 gola Erzenit, do t’i shënonim 3 Kukësit”.