Nga Klaudio Ndreca
Tashmë nuk kemi Rei Manajn që po stërvitet me ekipin A të Barcelonës, për shkakun se pushimi i gjatë për shkakun e pandemisë, bëri që te katalanasit të riktheheshin disa prej lojtarëve të dëmtuar. Por tifozët shqiptarë po shohin me kërshëri zhvillimet e fundit që vijnë nga Italia. Atje gjendet Xhakomo Vrioni, një sulmues që shihet me potencial të madh për të ardhmen.
Lojtari i Shqipërisë është thirrur nga trajneri Maurizio Sarri për t’u stërvitur me ekipin e parë. I lindur në 1998, Vrioni është pjesë e kuqezinjëve U-21, ndërsa ka debutuar edhe me Kombëtaren A. Trajneri i Juventusit dëshiron që të shohë më afër shumë prej talenteve që vijnë nga akademia dhe të rinjtë.
Për këtë arsye ka grumbulluar nëntë prej tyre. Kështu Giacomo Vrioni ka fatin që stërvitet dhe të mësojë prej yjeve të futbollit europian, ndërsa nga ana tjetër kërkon të bind edhe trajnerin Sarri. Duke parë ndryshimet e rregullave dhe 5 zëvendësimet që tani janë vendosur si kriter, kërkohen më shumë elemente për të përballuar fundin e sezonit dhe për këtë arsye do t’i besohet edhe më të mirëve që vijnë nga të rinjtë. /Sport Ekspres/