Nëse fati është kundër teje, të gjitha hapat për të përmbushur ëndrrën nuk kanë asnjë vlerë të vetme. Këtë e kuptoi më së miri Lorik Aliu, që vetëm pak më parë ka njoftuar edhe largimin e tij përfundimisht nga futbolli.
Disa kohë më parë ka bërë edhe testime te Dortmundi, duke u konsideruar si një futbollist me të ardhme të madhe. Aventura në Gjermani do t’i ndërpritej për shkakun e dëmtimeve të shumta, por Aliu nuk do të dorëzohej dhe do t’i kapërcente për t’u rikthyer në Kosovë, me shpresën se do të kishte një mundësi të dytë për të shkëlqyer në Europë.
Megjithatë fati ishte shkruar, Aliu nuk mund të bënte karrierë në futbollin e luajtur. Të tjera dëmtime pasuan lojtarin që mbërriti në vendimin e pashmangshëm për të varuar këpucët në gozhdë përpara kohe. Mbrojtësi 24-vjeçar ka përfaqësuar Shqipërinë me ekipin e të rinjëve, por asnjëherë nuk arriti që t’i vishte fanellën e Kombëtares A. /Sport Ekspres/