Rrugën e elitës holandeze e ndjek edhe Ligue 1 dhe Ligue 2 në Francë. Kryeministri francez ka dhënë urdhër që nuk do të ketë asnjë aktivitet deri në datën 1 shtator, duke bërë kështu që ndeshjet e futbollit të jenë të pamundura të zhvillohen, madje edhe prapa dyerve të mbyllura. Në këto kushte duket se e vetmja zgjidhje është anullimi përfundimtar i kampionatit, duke mos ekzistuar mundësia e përfundimit në fushën e lojës.
Klubet ishin duke mbajtur shpresa për të nisur stërvitjet në maj dhe më pas të rifillonin sërish sezonin atje ku e kishin lënë, por qeveria franceze me sa duket ka tjetër mendim. UEFA kërkonte që kampionati të mbyllej në fushë, megjithëse në rast se shtetet nuk jepnin dritën jeshile për ta lejuar një gjë të tillë, atëherë do të ishin Federatat ato që do të vendosnin për një zgjidhje në tavolinë. Mbetet për t’u parë nëse PSG do të kurorëzohet kampion, apo kampionati do të përfundojë pa fitues si në Holandë, ku pati edhe shumë pakënaqësi nga klubet për vendimet e marrë nga Federata holandeze./Halit Delibashi-Sport Ekspres/