Egnatia është eliminuar në turin e parë të Ligës së Kampionëve. Skuadra rrogozhinase e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 16, kur Ibrahimoglu zhbllokoi rezultatin. Borac Banja Luka u kundërpërgjigj në minutën e 30 me anë të Lukiçit, për ta çuar ndeshjen në 1-1.
Egnatia vijoi dominimin e lojës edhe në pjesën e dytë dhe këmbëngulja e tyre u shpërblye. Zhoeli ndëshkoi për herë të dytë klubin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës në minutën e 83-të. Sfida shkoi kështu në shtesa, kur lojtarët e Borecit ishin më tepër të interesuar në vonimin e lojës dhe ishin pajtuar me penalltitë.
Loja përfundoi me rezultatin 2-1 për Egnatian, por kaq nuk mjaftoi për të siguruar kualifikimin në turin e dytë. Lojtarët iu drejtuan penalltive, ku fati qendroi në anën e kundërshtarit. Aleksi dhe Lushkja gabuan në ruletën e 11 metërshave, çka bëri që kampionët e Shqipërisë të eliminoheshin nga Liga e Kampionëve. Tashmë Egnatia do të vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/