E FUNDIT/ E keqja e të qenit dy vëllezër në një ekip, e thotë Shqiprim Taipi: Ke më shumë përgjegjësi kur humbet

Me tensione dhe e zjarrtë pritej ndeshja mes Erzenit dhe Kukësit, ashtu do të rezultonte. Situata ishte ndezur që në konferencat e shtypit, teksa më parë Safet Gjici nuk mund të kuptonte sesi ekipi i tij ishte në vendet e fundit dhe Erzeni po kryesonte në Superiore. “Një lojtar i yni paguhet sa gjithë Shijaku”. Ndërkohë nga ana tjetër, Krasniqi u shpreh se kërkonte me patjetër një fitore ndaj Kukësit në Superiore.

Por ky takim u mbyll me suksesin e Kukësit në shifrat 0-2. Dobi ka arritur që ta kthejë Bashën si në kohët e arta të sezonit të kaluar. Ishte pikërisht ky lojtar që në minutën e 17 arriti që të realizonte falë një goditje brilante në zonë. Gjithmonë duke i shkaktuar vështirësi kundërshtarëve nëpërmjet driblimeve dhe lëvizjeve të tij.

Tensionet dhe përplasjet e lojtarëve nuk munguan në këtë ndeshje që u përjetua si një finale. Kjo u pa qartë edhe në golin e Barbosës me kokë në minutën e 58, ku i gjithë stafi i Kukësit hyri në fushë për të festuar. Pas këtij triumfi, verilindorët ngjiten në vendin e katërt, me një pikë më pak se Erzeni. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Shqiprim Taipi: “Me Dobin jemi shumë mirë, ai është si një prind për ne. Po na motivon shumë se kemi qenë të demoralizuar në fillim. Tani jemi në ndeshjen e katërt me këtë skemë, po ndihemi shumë mirë dhe Dobi na ka mbledhur të gjithëve. Dy vëllezër në një ekip? Ke më shumë përgjegjësi kur humbet, por kur fiton është më mirë, se dy gëzime në një shtëpi”.

Dobi: “Erzeni është për t’u respektuar, ne kemi vuajtur për pak. Arritëm që ta mbanim këtë vuajtje dhe goli i dytë na dha qetësi. Duhet të jemi më të rafinuar para portës kundërshtare. Por duhet t’i jap respektin Erzenit. Kartonët i morëm shumë shpejt. Duhet të jemi agresiv te topi, jo te kundërshtari, që të bëjmë faull të panevojshëm. Nuk është ende ekipi i Dobit, është ekip i Kukësit. Unë po mundohem që ta vajis mirë ekipin dhe pastaj të jenë në punë të gjithë mekanizmat. E kanë thënë burrat e mençur që kur një ekip është fitues, atëherë nuk ke se çfarë të ndryshosh”.

Kapllani: “Nuk shkuan episodet, ekipi u paraqit mirë. Kishim grintën e duhur, pavarësisht se u detyruam të motivonim sërish ekipin pasi ishim përgatitur që të luanim të shtunën. Kundërshtarët ishin mjeshtra për të vonuar lojën nga minuta e parë te e fundit, e kishin mësuar këto ditë. Humbëm edhe për shkak të mungesës së eksperiencës. E kemi dominuar lojën në 80% të saj”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *