Askush nuk kishte dyshime, por këtë herë bëhet fjalë për një vendim që tashmë ka marrë formë zyrtare. Orges Shehi nuk do të jetë më trajneri i Kukësit duke rënë në dakortësi me presidentin e ekipit për shkëputjen e bashkëpunimit.
Ky trajner arriti të merrte rezultate të mira me verilindorët, por jo deri në atë pikë sa të fitonte besimin “e verbër” të Safet Gjicit. Kushti i vetëm për vazhdimin e kontratës ishte fitimi i titullit kampion, teksa në momentin që erdhi Shehi, ishte një mision teje i vështirë. Më pas eliminimi në Kupën e Shqipërisë ndaj Teutës do të hidhte edhe firmën në këtë shkarkim. /Sport Ekspres/
Komunikatë e klubit!
Klubi i Kukësit njofton se Orges Shehi nuk është më trajner i skuadrës sonë. Pas përfundimit të sezonit, presidenti dhe trajneri kanë rënë dakord për të mos vazhduar më aventurën së bashku. Megjithëse një trajner i ri në eksperiencë, presidenti i besoi trajnerit Shehi një nga ekipet më të mira që Kukësi ka pasur.
Klubi i Kukësit e falënderon trajnerin Shehi për kontributin e dhënë në këtë periudhë të vështirë për futbollin shqiptar dhe jo vetëm dhe i uron suksese në të ardhmen.
Zyra për shtyp
FK KUKËSI