Ditët e fundit televizioni shtetëror shqiptar, RTSH, u ankua për faktin se prej sezonit të ri nuk do të ketë të drejtë të transmetojë asnjë ndeshje nga Kategoria Superiore, ndërkohë që deri në fund të sezonit të shkuar kishte të drejtën e transmetimit të një takimi çdo fundjavë.
Sipas RTSH-së, Federata Shqiptare e Futbollit nuk është treguar transparente në tenderin e saj, duke favorizuar konkurrencën e RTSH-së, por sot ka ardhur edhe reagimi zyrtar i FSHF-së, që me një komunikatë për mediat ka sqaruar gjithçka në lidhje me procedurën e ndjekur dhe arsyen pse oferta e RTSH-së nuk është shpallur fituese.
KOMUNIKATA
“Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të risjellë edhe një herë në vëmendje të opinionit publik, që pak muaj më parë shpalli hapjen e tenderit për të drejtën TV të ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Më pas Komiteti Ekzekutiv, shpalli fitues kompaninë “DIGITALB” e cila kishte paraqitur ofertën më të mirë për marrjen e këtyre të drejtave.
Këtë të drejtë TV të kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore, FSHF e ushtron në emër të klubeve, të cilat janë edhe përfitueset direkte të 100% të të ardhurave që arkëtohen nga kompania fituese, në rastin konkret, nga Digitalb.
E gjithë shuma u ndahet vetëm klubeve pjesëmarrëse, sipas kritereve të përcaktuara.
Kjo është një praktikë standarde e UEFA-s, e ndjekur njësoj si për të drejtat TV të Champions League, apo Europa League, por edhe në shumë Liga europiane të futbollit.
Përtej zhurmuesve të vazhdueshëm dhe të pashpjegueshëm, FSHF thekson që oferta e paraqitur nga RTSH ishte disa herë më e vogël nga propozimi tjetër, për të cilën është vënë në dijeni edhe vetë RTSH, në cilësinë e ofertuesit.
Nuk është aspak etike që RTSH të disinformojë publikun për praktika të tilla të standardeve europiane, mbi bazën e të cilave FSHF operoi plotësisht në tenderin e së drejtës TV”.