Lionel Mesi, më në fund, ka shënuar! Edhe pse pak me vonesë dhe në tentativën e 14-të me goditje në portën kundërshtare, pas dy ndeshjesh ku gaboi edhe nga pika e bardhë, lideri i Argjentinës dhe i shumëpritur i këtij Botërori, “u zgjua” atëherë kur duhej, në ndeshjen më deçizive. Pas golit të realizuar ndaj Nigerisë, ngriti duart nga qielli dhe u duk sikur falënderoi pikërisht Zotin.
Edhe pse vuajtja dhe emocionet vazhduan deri në fund, deri kur ajo goditje e Rohos përfundoi në rrjetë. Pas ndeshjes, ylli i Barcelonës foli kështu për FIFA-n: “Ishim të bindur se do ta fitonim këtë ndeshje, është e mrekullueshme që ia arritëm në këtë mënyrë.
E dija që Zoti ishte me ne dhe nuk do të na linte në këtë moment të vështirë. i falënderoj të gjithë njerëzit që kanë bërë sakrifica dhe që kanë ardhur këtu në Rusi për të na mbështetur, por edhe ata që në Argjentinë janë lutur për ne dhe kanë përjetuar këto emocione. Fanella e kombëtares vjen e para, përpara çdo gjëje tjetër”.
Franca në turin tjetër: “Kemi parë çdo ndeshje të Francës, i shohim të gjitha. Franca është skuadër shumë e mirë, me lojtarë shumë cilësorë e teknikë. Ata kanë lojtarë shumë të shpejtë, që mund të bëjnë diferencën. E di çfarë duhet të bëjmë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pa dyshim”.