Një sukses i radhës për Rei Manajn, që po merr vëmendjen e të gjithëve në Spanjë, madje duke surprizuar edhe vetë tifozët shqiptarë. Kur erdhi te Barcelona B pak kush do ta mendonte se mund t’i jepej hapësira në skuadrën e parë.
Por sulmuesi shqiptar është stërvitur dy herë me trajnerin Setien, përkatësisht para ndeshjes për Kupë me Leganesin dhe para ndeshjes në kampionat me Levanten. Këtë herë një tjetër lajm i madh vjen për futbollistin e Kombëtares.
Sipas asaj që raporton “Marca”, Barcelona ka dorëzuar listën e saj në “Champions League” për vazhdimin e këtij kompeticioni pas kalimit të grupit. Në listën me 25 emra të futbollistëve kryesorë përfshihet edhe sulmuesi Rei Manaj.
Kjo zgjedhje është e detyruar për dy kushte. Fillimisht lojtari shqiptar është i vetmi “9” që i ka mbetur katalanasve, ndërsa arsyeja e dytë është se Barcelona dhe çdo skuadër tjetër duhet të dorëzojë dy lista, A dhe B.
Tek A-ja janë të gjithë lojtarët kryesorë, ndërsa te B duhet të jenë lojtarët e akademisë nën U-21 vjeç dhe kanë të paktën tre vite në klub. Kjo e ka kapërcyer Manajn menjëherë në pjesën kryesore, ndërsa sipas rregullave të UEFA-s, lista B mund të ndryshohet deri në 1 ditë para ndeshjes. /Sport Ekspres/