Sioni ishte një nga klubet e para që “u dorëzua“ si pasojë e krizës që solli pandemia Covid-19 në futboll. Ekipi zvicerian vendosi të prishte kontratën me plot 9 lojtarë, ndërsa mes tyre ishte edhe Ermir Lenjani. Ky i fundit ishte një lojtar i rëndësishëm për ta dhe si rrjedhojë edhe paga e tij ishte e lartë për arkat e Sionit. Gjë që solli edhe në atë vendim të klubit. Por zvicerianët duket se e kanë kuptuar shpejt gafën e tyre me Lenjanin, duke bërë kështu prapakthehu.
Sioni është tërhequr dhe ka vendosur që të rikthejë sërish 4 prej futbollistëve të larguar më parë, mes tyre edhe lojtari i Kombëtares shqiptare. Ky i fundit ka qenë një futbollist thelbësor dhe këtë e kanë treguar qartë golat e shumtë që mbajnë firmën e tij, duke i dhuruar jo pak pikë në kampionat klubit helvet. Nëse shohim shifrat dhe paraqitjet në fushën e lojës, padyshim që kjo tërheqje e drejtuesve të skuadrës është veprimi i duhur, pasi do të mbajnë kështu në organikën e tyre një lojtar që është i aftë t’u japë shumë në fushë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/