Cristiano Ronaldo u përball me Bruno Fernandes për herë të parë që nga intervista e tij e bujshme me Piers Morgan. Bruno Fernandes nuk dukej shumë i kënaqur kur pa shokun e skuadrës së Manchester United, Cristiano Ronaldo, teksa dy yjet u takuan në dhomën e zhveshjes përpara seancës stërvitore të Portugalisë për Botërorin e Katarit.
Sipas mediave të huaja, bazuar në pamjet e shfaqura, Fernandes nuk duket aspak miqësor ndaj Ronaldos dhe duket sikur gjithçka që ka thënë ish-lojtari i Real Madridit dhe Juventusit ka lënë gjurmë edhe te shokët e tij. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale mbrëmjen e së hënës në kampin portugez, Ronaldo tenton të përshëndesë Fernandes me një shtrëngim duarsh.
Edhe pse mesfushori pranon dorën e shokut të skuadrës, Ronaldo mbetet pa fjalë pasi Fernandes duket se ka një qëndrim tjetër. Fernandes flet vetëm shkurt me Ronaldon, përpara se të largohet prej tij dhe të përshëndetet me lojtarët e tjerë të Portugalisë.
Videot e para të Morgan filluan të dalin të dielën, me Ronaldon që pretendon se ndihet i ‘tradhtuar’ nga Djajtë e Kuq dhe tha se nuk ka respekt për Erik ten Hag. “Unë nuk kam respekt për të (Ten Hag) sepse ai nuk tregon respekt për mua. Nëse ju nuk keni respekt për mua, unë kurrë nuk do të kem respekt për ju”, tha Ronaldo.
Ronaldo shkoi më tej në një video të publikuar të hënën, duke pretenduar se klubi nuk besonte se ai po thoshte të vërtetën kur ai anashkaloi turneun parasezonal të ekipit për t’u kujdesur për vajzën e tij të porsalindur të sëmurë. “Kam folur me drejtorin e Manchester United. Disi ata nuk besuan se diçka nuk shkonte, gjë që më bëri të ndihem keq. Unë kurrë nuk do të jap shëndetin e familjes sime për futbollin. Asnjëherë”, përfundoi Ronaldo. /Sport Ekspres/