E bujshme/ Partizani pranë goditjes së madhe në merkato, Mavraj e pranon: Jemi në bisedime, më pëlqen ta mbyll karrierën në Shqipëri

Partizani mund të bëjë një goditje të madhe këtë merkato. Një lojtar i rëndësishëm si Belica është larguar nga klubi, por për ta zëvendësuar të kuqtë kanë menduar për një emër të madh. Bëhet fjalë për Mërgim Mavrajn. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka folur për “Oversport”, ku ka konfirmuar se është në bisedime me kryeqytetasit dhe pranon se do i pëlqente shumë të mbyllte karrierën e tij në Shqipëri.

“Së pari, unë kam shumë respekt për klubin e Partizanit. Njerëz që unë i kam miq shumë të mirë janë ish-lojtarë apo edhe tifozë të asaj skuadre, që ma shtojnë edhe më tepër respektin për të. Mund t’ju konfirmoj që kam lejuar të nisin bisedimet. Për momentin vetëm kaq mund të them. Nuk e di se si do të shkojnë bisedimet, nëse do të ketë një bashkëpunim apo jo.

Nga ana ime mund të them që për mua fakti që një klub si Partizani është interesuar për mua që të jem pjesë e tij, është një vlerësim shumë i madh. Nuk e di se si do të shkojnë bisedimet. Nuk mund të them asgjë. Janë shumë faktorë. Nga ana ime është një ide shumë e mirë, shumë e bukur që ta mbyll karrierën në Shqipëri. Po e përfundoj duke e theksuar edhe një herë, që a do të më jepet apo jo mundësia, nuk e di“, ka thënë Mërgim Mavraj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *