Amir Rrahmani arriti të bindte të të gjithë sezonin e shkuar, ku me fanellën e Veronës dhuroi paraqitje mjaft pozitive. Kjo i siguroi edhe një kontratë me një klub të madh si Napoli. Megjithatë me mbërritjen e tij te të kaltrit gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç mbrojtësi shqiptar mund t’i kishte menduar, pasi ende nuk ka luajtur asnjë minutë me ekipin e tij të ri.
Mungesa e hapësirave mund të bëjë që kapiteni i përfaqësueses së Kosovës të largohet në formë huazimi në janar dhe interesimi për të nuk mungon. Sipas asaj që raportohet në Itali, Amir Rrahmani bën pjesë në listën e objektivave të Paolo Maldinit për merkaton e ardhshme.
Kjaer është i dëmtuar dhe drejtuesit e Milanit e shohin futbollistin shqiptar si zëvendësuesin e duhur për të luajtur përkrahë Romanjolit. Pavarësisht faktit se këtë sezon nuk ka luajtur asnjëherë për Naplin, Maldini është bindur nga performanca e sezonit të kaluar me Veronën si dhe ndeshjet pozitive të laujtura me dardanët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/