Nga Klaudio Ndreca
UEFA është duke bërë një tjetër mbledhje emergjente, për të vendosur rreth fatit të kampionateve. Por kjo është e disata herë që mblidhet organizmi i futbollit europian, që është tërësisht i varur nga situata e Koronavirusit.
Pra të gjitha datat dhe vendimet e marra aty, bëhen të pavlefshme nëse rritet numri i të infektuarve me COVID-19 ose vazhdon me të njëjtin ritëm, edhe pas disa muajsh. Atëherë si do të veprohet? Një mundësi për ta mbyllur kampionatin e Serisë A në tavolinë ekziston, megjithëse shihet si varianti i fundit, pasi kërkohet të luhet në fushë.
“La Republicca” hedh edhe një tjetër tezë, që UEFA mund të ndërhyjë për të vendosur rreth skuadrave që do të marrë në Europë për sezonin tjetër. Pra jo duke marrë për bazë renditjen aktuale që e çon, Juventusin, Lacion, Interin dhe Atalantën në “Champions League” sipas katër vendeve të para ku janë sot. Por duke marrë për bazë renditjen e klubeve italiane në UEFA, atje ku do të ishte Juventus (Nr. 5 në renditje), Roma (Nr. 15), Napoli (Nr. 16) dhe Lazio (Nr. 36) që do të shkonin në Ligën e Kampionëve. Inter dhe Atalanta do të qëndronin jashtë, pasi janë respektivisht në vendin e 50 dhe 51. Gjithçka ende nuk është përcaktuar, por fjala e fundit mund të varet nga Ceferin. /Sport Ekspres/