Andrea Ndoj është lojtari shqiptar që ka kryefjalën në Greqi. Vetëm 19-vjeç dhe vjen nga ekipet zinxhirë për të debutuar në ekipin e parë. Roli i tij natyral është mesfushor-shkatërrues, por trajneri spanjoll i Olimpiakosit e ka përdorur si mbrojtës qendre.
Ndeshja e parë debutuese ishte ajo ndaj OFI, ku për fatin e keq, Ndoj realizoi autogol. Ai do të zëvendësohej në minutën e 46 për shkak të mungesës së besimit në vetvete pas asaj situate të ndodhur, por çudia erdhi në Europa League.
Olimpiakosi luante në transfertë ndaj Karabak dhe konsiderohej si jo favorit në letër. Trajneri i ekipit grek e nisi sërish me Ndojin nga minuta e parë, teksa këtë herë lojtari shqiptar luajti për 90 minuta në nivel të lartë, duke i befasuar që të gjithë.
Media greke “Sportdog” shprehet se Shqipëria dhe Greqia po luftojnë ende për këtë futbollist që aktualisht ndodhet te kuqezinjtë, pasi ka pasur jo pak mëdyshje për zgjedhjen e tij. “Ka luajtur me Shqipërinë U-17, më pas me Greqinë U-17 dhe U-19, ndërsa tani ndodhet te Shqipëria U-21. Lojtari mund të luajë për të dyja Kombëtaret dhe ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë”, shkruhet në këtë media greke. /Sport Ekspres/