Sherif Kallaku ka përfunduar huazimin e tij nga Lokomotiva e Zagrebit te Teuta. Kjo lëvizje nuk rezultoi siç pritej pasi mesfushori nuk u ngjit në lartësinë e dikurshme te durrsakët. Sigurisht që këtu ndikoi edhe forma jo e mirë e kampionëve në fuqi që po lëngojnë në këtë sezon të ri.
Pra për rastin e Kallakut nuk është zgjedhur që të zgjaste huazimin deri në fundin e sezonit te Teuta. Por kjo nuk do të thotë se mesfushori është rikthyer te Lokomotiva e Zagrebit. Një tjetër aventurë e pret në Shqipëri dhe menjëherë ishin ekipet e kryeqytetit që u hodhën në garë për shërbimet e tij.
Sipas burimeve pranë lojtarit të “Sport Ekspres”, Kallaku ka zgjedhur që të vazhdojë te Laçi dhe ka dalë në stërvitje me kurbinasit. Pikërisht në ekipin që ka pasur ecurinë mbreslënëse në këto takime të fundit me Josën. Nga ana tjetër, bashkëpunimi mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Laçit është shumë i njohur në rang lojtarësh dhe trajnerësh, pasi dikur ishte Besnik Prenga që mori përsipër kurbinasit për t’u paraqitur në Europë. /Sport Ekspres/