Kur do të kthehet Superiorja? Duket se jemi shumë afër fillimit të sezonit të ri, ndërsa FSHF ka njoftuar rikthimin e Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë në fundjavë. Ndërkohë kur flitet për Superioren, Federata ka sqaruar se gjithçka do të varet nga ana e mbledhjes të së premtes që do të zhvillohet mes presidentëve të klubeve.
Gjatë një interviste të dhënë për “Report TV”, Nderim Nexhipi ka krijuar edhe një ide të qartë se kur do të fillojë elita e futbollit shqiptar. Sipas drejtorit të Kukësit, topi do të vendoset në fushë në mesjavën e ardhshme, për të hequr dorë nga bojkoti dhe me shpresën se Qeveria do të plotësojë 4 pikat e kërkuara.
“Është fakt që kam qenë në mbledhjet e organizuara dhe të gjithë jemi në një mendim që bojkotit po i vjen fundi. Në këtë takim që ka bërë Duka me Ramën janë zgjidhur disi gjërat dhe shpresojmë që të na plotësohen kushtet pasi janë për të mirën e futbollit. Ne po shpresojmë se do të zgjidhet sa më shpejt. Ndoshta jo këtë fundjavë, por në mesin e javës tjetër duhet të fillojmë. Ne na janë larguar shumë futbollistë dhe kanë ardhur shumë të rinjë. Ekipi është plotësuar dhe është viti i tretë i imi këtu. Ambiciet tona dihen dhe presidenti ka investuar shumë, kërkon tituj”, ka thënë Nexhipi. /Sport Ekspres/