Astrit Selmani është sulmuesi që po shkëlqente me golat e shënuara në Suedi me ekipin e Varbergs, ndërsa ndërroi skuadrën për të qenë pjesë e Hamarby. Pikërisht në vendin e Zlatan Ibrahimoviç, pasi futbollisti i Milanit ka një pjesë të aksioneve në këtë klub.
Selmani ka të drejtë për të luajtur për tre Kombëtare: “Kosova, Shqipëria dhe Suedia”. Kosova do t’i dërgonte ftesë sulmuesit 23-vjeçar për për këto ndeshje të marsit duke parë se Muriqi është tërësisht jashtë formës me Lacion.
Në këtë situatë ka pasur një tundim të Selmanit, për ta pranuar ftesën. Por si për të prishur planet e Kosovës, ka menduar trajneri i Suedisë, Stefan Peterson. Ky i fundit ka zhvilluar një takim direkt me Selmanin për të sqaruar situatën.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me trajnerin e Suedisë. Tani le të shohim se çfarë ka për të ndodhur. Ishte një bisedë e mirë që qëndron mes nesh. Shumë është shkruar gjithmonë dhe e di se Kosova ka qenë e interesuar për mua. Kam pasur diskutime të gjata dhe më duhej të merrja një vendim që në fakt nuk e kam marrë ende”, tha Selmani.
Nga ana tjetër për këtë takim ka folur edhe vetë trajneri i Suedisë, Peterson: “Atë që i kemi thënë njëri-tjetrit, ia kemi thënë njëri-tjetrit. Nuk ka asgjë për të cilën duhet të bërtasim. Ka shumë parametra që hyjnë në lojë. Në fund, bëhet fjalë për atë që vetë futbollistët ndiejnë dhe dëshirojnë. Atëherë lojtari duhet të performojë aq mirë sa të jetë gjithashtu i rëndësishëm”, u shpreh Peterson duke lënë të kuptohet se biseda me Selmanin ka qenë për të ardhmen, për t’i treguar vëmendjen që ka Suedia A, por fillimisht i duhet të lërë gjurmë me Hamarby. /Sport Ekspres/