E bujshme/ Gega heq nga puna trajnerin serb që ironizoi Kukësin, por çfarë shembulli nga presidenti i bullgarëve

Nga Klaudio Ndreca

Vetëm një ndeshje, vetëm 90 minuta dhe një debutim që nis nga Europa. Kaq i duhet Skënder Gegës që të marrë “kokën” e parë të një trajneri. Bëhet fjalë për Zlatomir Zagorcic, tekniku serb që drejtonte Slavian e Sofias, teksa menjëherë pasi u njoh me shortin në “Europa League”, nuk ngurroi të ironizonte rivalin e tij shqiptar: “Të jem i sinqertë, nuk e di fare se çfarë përfaqëson ky Kukësi”.

Shpejt do ta njihte në Shqipëri, madje do ta mbaj mend gjatë pasi është ekipi që e la pa punë pas tre vitesh të suksesshme. Kur Zagorcic erdhi te Slavia, në vitin e parë arriti që ta shpëtonte Slavian nga rënia nga Kategoria, më pas ka arritur që të fitojë Kupën e Bullgarisë dhe më pas duke e dërguar në Europë.

Pra tre vite të suksesshme dhe në ngritje, e kthyen në të padiskutueshëm te ekipi bullgar. Ky sezoni i ri nisi si mos më keq për Slavian që erdhi në Shqipëri me 1 barazim dhe 2 humbje në tre ndeshjet e para të kampionatit. Më pas goditja që i dha Kukësi duke e dominuar dhe eliminuar nga Europa, vendosi tërësisht për largimin e trajnerit Zagorcic.

Ky i fundit nuk doli në intervistën për mediat pas ndeshjes të cilën e ka detyrim, ndërsa edhe në mediat bullgare u përfol se largimi ishte shumë pranë. Trajneri nuk kishte mundësinë për ta bërë një gjë të tillë para derbit që ishte ndaj Cska Sofia, duke zgjedhur që ta drejtojë ekipin edhe në këtë ndeshje të cilën e humbi 1-0 me një autogol në minutat e fundit, për të paraqitur më pas dorëheqjen.

Arsyeja e dorëheqjes ka qenë një tension i akumuluar për mungesën e rezultateve dhe humbja nga Kukësi me në krye Gegën ishte shkaktari kryesor. Këtu del në skenë edhe një model i vërtet që ofrohet nga presidenti i Slavias, Ventzi Stefanov. Në nder të tre viteve fantastike që kanë kaluar së bashku, kreu i klubit nuk ka zgjedhur që ta pranojë menjëherë dorëheqjen e trajnerit, duke i dhënë disa kohë shtesë për reflektim.

“Ne po ndahemi si shok. Zagorcic e ka shprehur vetë dëshirën për t’u larguar. Ai më tha se ka mbledhur shumë tension në këto kohë. Personalisht jam shumë i trishtuar. Është një humbje e madhe për mua, por më e rëndësishmja është që të ruajmë lidhjen tonë dhe shoqërinë që kemi. Dyert janë të hapura te Slavia për Zagorcic. Asgjë nuk është bërë e kryer përfundimisht, nesër ai do ta mendojë dhe do të kthehet prapë për të dhënë vendimin. E kuptojmë njëri-tjetrin pasi themi një gjysmë fjale. Nuk mund të flas kurrë keq për të”, u shpreh Stefanov. Pavarësisht kohës së lënë me 24 orë për të ndryshuar qëndrim, Zagorcic është larguar përfundimisht nga Slavia. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *