E bujshme! Çmenduri, por…mos u çudisni! Në Holandë mund t’i jepet titulli 2 ekipeve, Ajaksi e pret me ankth

Nga Klaudio Ndreca

Jemi në periudhën e Koronavirusit, përfundimisht viti 2020 do të mbahet mend kështu. Çudirat janë nga më të shumëllojshmet, ndërsa kur të gjithë t’ia dalim me këtë luftë, do të kemi shumë për të treguar në vitet në vazhdim me këtë anormalitet që po jetojmë.

Futbolli është prekur po kaq shumë, si çdo hallkë tjetër e jetës. Por më të papërgatitur në një farë mënyre, pandemia ka gjetur sportin më të dashur në Holandë. Atje është Ajaksi dhe Az Alkmar në të njëjtën grumbullim pikësh pas 25 ndeshjesh, më saktësisht 56 pikë.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, u shpreh se futbolli nuk do të kthehet deri në 1 shtator. Pra duke e bërë të qartë se Erdivisie e ka mbyllur këtu sezonin e saj për shkakun e COVID-19, Ndërkohë të gjithë kanë një pyetje në mendjen e tyre: “Si do t’i bëhet me titullin?”.

Vendimi përfundimtar do të merret të premten, por sido të jetë fjala e fundit, e sigurt është që do të shkaktojë debat dhe polemika për ngjarjen e paprecedent dhe që do të shënojë historinë. Drejtësia e rregullit është një gjë dhe drejtësia sportive është një gjë tjetër.

Në bazë të rregullave është Ajaksi që e ngre titullin kampion, për shkak të golavarazhit më të mirë. Por si mund të merret për bazë një gjë e tillë, kur ka edhe shumë ndeshje për të luajtur? Pastaj, si mund të merret për bazë një gjë e tillë kur Az Alkmar e ka mundur Ajaksin në të dyja ndeshjet direkte të zhvilluara në këtë sezon në kampionat?

Një rrymë në Holandë propozon edhe për një zgjidhje tërësisht jashtë fantazisë, për t’ia lënë titullin të dyja skuadrave. Në fakt kjo mbetet edhe zgjidhja më e drejtë, pasi duhet të kuptojmë se të gjithë po jetojmë në anormalitet. Nga ana tjetër është edhe një hipotezë që lidhet me dy ndeshje ose vetëm një mes Ajaks dhe Az Alkmar që vendos fituesin e titullit, por ka pikëpyetje të madhe për sigurinë e munguar. Kjo pasi për këtë arsye është mbyllur futbolli në Holandë, ndërsa lënia e një ndeshje finale do të kërkonte kohë për skuadrat që të zhvillonin stërvitje për të kapur formën më të mirë dhe për t’u përplasur në fushën e lojës.

Pra duke rrezikuar jetën e futbollistëve, që në fund të fundit edhe ngritja e titullit në qiell nuk do t’i kënaqte si më parë, pasi stadiumi do të jetë i boshatisur dhe do të dëgjonin vetëm kthimin e zërit të festës prej tyre. /Sport Ekspres/