Ernest Muçi vazhdon të ketë luhatje të madhe te Beshiktashi. Futbollisti shqiptar kthehet në hero në një takim kur bën gola edhe jashtë normales, ndërsa në të tjera qëndron në hije. Por këto luhatje të vazhdueshme të Muçit po vihen më shumë re në këtë moment kur Beshiktashi po kalon po të njëjtën formë.
Beshiktashi ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit dhe si për çudi, fitoren e vetme e ka në ndeshjen më të fortë, atë kundër Fenerbaces të fituar në shifrat 1-0. Pas humbjes së pësuar kundër Adana Demirspor në shifrat 2-1, presidenti i Beshiktash, Huseyin Yucel, ka vendosur që t’i vendos lojtarët me shpatulla pas murit dhe të marrë vendime ekstreme.
Lojtari i krahut të majtë të mbrojtjes së Beshiktash, Masuaku, është dënuar për paraqitjet e dobëta. Ky futbollist mund të vazhdojë të stërvitet me ekipin, por nuk i lejohet që të luajë dhe nuk do të grumbullohet te Beshiktashi. Pra në muajin janar do të largohet menjëherë nga skuadra.
“Ka lojtarë që zgjedhin t’i luajnë ndeshje sipas shpërblimeve financiare, unë e di se kush janë ata. E çfarë do të thotë të humbasësh nga Adana Demirspor? Ata nuk luajnë kështu në ndeshjen kundër Fenerbahces. Do të bëjmë një pastrim serioz në ekip”, tha presidenti i ekipit. Ndërkohë mediat turke shprehen se përveç dënimit të rëndë për Masuakun, Beshiktashi i ka tërhequr vëmendjen edhe tre lojtarëve të tjerë si Ernest Muci, Cher Ndour dhe Al Musrati për paraqitje të dobëta dhe jo serioze. Pra sipas mediave turke, në listën e lojtarëve që përmend presidenti i ekipit futet edhe Ernest Muçi që sipas kësaj teorie, luan mirë në ndeshje të mëdha kur ka shpërblime dhe e ul shumë ritmin në ndeshjet e vogëla, ku fitorja është detyrim. /Sport Ekspres/