Sezoni aktual mund të quhet i dështuar deri tani, me Champions League mbetet shpresa e vetme për Zidan. Trajneri i kombëtares gjermane, emri i përzgjedhur për sezonin e ri
Një kampionat i hedhur poshtë që në dhjetor nuk është asnjëherë i pranueshëm për Realin dhe nëse Zinedin Zidan ia ka hedhur paq deri tani, kjo ka ardhur vetëm se ka fituar trofe me shumicë vitet e fundit dhe është një legjendë në Madrid, si futbollist e më pas si trajner. Gjithsesi, për trajnerin francez provimet nuk kanë fund dhe çdo ndeshje është një test para Perezit, i cili gjithnjë e më shumë po e humbet durimin, sepse skuadra vërtet nuk duket e kompletuar, por nuk mund të jetë aq e dobët sa të mbetet kaq larg kreut që tani. Nëse pastaj shtojmë edhe disfatën e rëndë në El Clasico para festave, është e qartë që Zidan është me fat që është ende në drejtim.
FAVORITI – Në Spanjë tashmë kërkojnë pasuesin dhe mediat kanë evidentuar një emër: Joakim Lëv është trajneri i preferuar nga Reali për të pasuar Zizunë. Në verë Lëv do të drejtojë Gjermaninë në Kupën e Botës dhe më pas do të jetë momenti perfekt për ta mbyllur me kombëtaren dhe për të marrë drejtimin e Realit. Mbërritja e tij do të shënojë fillimin e revolucionit total në Madrid dhe kjo shpjegon edhe hezitimin e Perezit për të investuar fuqishëm që në janar.
LARGIMET – I pari në listën e largimeve është Karim Benzema, i sigurt me Zidan, por i panevojshëm për Realin, aq sa tifozët ka kohë që i ka kundër. Prania e tij në formacion sa herë bëhet mirë fizikisht po bezdis edhe skuadrën, sepse kontributi i sulmuesit ka rënë dukshëm. Diskutim i njëjtë edhe për francezin tjetër Rafael Varan, që ka treguar se nuk është më i besueshëm, edhe pse konsiderohej qendërmbrojtësi i së ardhmes para pak vitesh. Edhe veteranët Marselo e Luka Modriç, apo të rinjtë Lukas Vazkez, Hezus Vajeho e Borha Majoral i kanë ditët të numëruara nëse Lëvi merr drejtimin. Rënia e dy të parëve është e dukshme, ndërsa të tjerët nuk kanë nivelin e duhur për Realin. Edhe emra si Kristiano Ronaldo e Geret Bejl nuk janë më të pazëvendësueshëm. Portugezi është tashmë në vitet e fundit të karrierës dhe nëse shitet urgjentisht, mund të vlejë ende shumë në treg, ashtu si Bejl, i cili te Reali më shumë ka qenë në infermieri, se në fushë.
TË KONFIRMUARIT – Ka edhe emra që nuk do të preken. Marko Asensio, Isko, Toni Kros dhe Kasemiro janë të sigurt, ndërsa mund të rivlerësohen emra si Dani Sevajos e Markos Jorente. Natyrisht, do të vijnë shumë emra të mëdhenj, sepse Perez nuk duron dot që të mbetet pas në garën e blerjes së yjeve. Hazard, Kejn e Ikardi janë vetëm dy nga emrat që pritet të shënjestrohen.