Kukësi ka nisur një projekt të ri me Gegën në krye të pankinës dhe këtë verë i kanë vënë në dispozicion trajnerit edhe përforcime të reja e cilësore. Por te verilindorët punojnë edhe brenda grupit këtë merkato. Emiljano Musta ka vënë në lëvizje prej disa kohësh klubin kuksian, teksa lojtarit i përfundoi kontrata me skuadrën.
Megjithatë futbollisti 28-vjeçar është një element që Skënder Gega e dëshiron dhe e konsideron të rëndësishëm për planet e tij. Për këtë arsye është punuar për të siguruar një rinovim mes palëve, gjë e cila duket se ka mbërritur.
“ABC Neës“ raporton se Musta e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ka nënshkruar edhe për 2 vite të tjera me Kukësin. Kështu në kampin e nënkampionëve mund të buzëqeshin lirshëm dhe ta quajnë një kapitull të mbyllur çështjen e të ardhmes së lojtarit, pasi do të vazhdojë të japi kontributin e tij për fanellën e verilindorëve deri në vitin 2022./Halit Delibashi-Sport Ekspres/