Sot bëhen 2 vite që nga momenti kur ish-kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, është ndarë nga jeta. Vokrri është një legjendë e futbollit shqiptar, teksa ka pasur një karrierë të shquar si futbollist, ndërsa suksesi e ka ndjekur dhe në postin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Falë tij dardanët janë tashmë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka kujtuar në ditën e sotme Vokrrin, mungesa e të cilit thekson se është ndjerë në të gjitha drejtimet. Megjithatë presidenti i Federatës shqiptare shprehet se pavarësisht faktit që kjo figurë e njohur e futbollit nuk është më mes nesh, vepra e tij do të mbetet gjithnjë, për të mos u shuar kurrë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Postimi i Armand Dukës:
Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit, një figurë kyçe të futbollit shqiptar, Presidentin e FFK-së dhe mikun tim të dashur, Fadil Vokrrin.
Në këto dy vite na ka munguar shumë në të gjitha dimensionet; si drejtues, si futbollist, si mik apo qoftë edhe si familjar në familjen e tij. Gjithsesi, Fadili mungon fizikisht, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë, do të rikujtohet nga të gjithë ata, të cilët e kanë njohur nga afër, nga të gjithë ata të cilët e kanë parë si futbollist apo e kanë njohur si drejtues të Federatës së Kosovës.
Jam shumë i bindur që kishte shumë për të bërë dhe do të bënte shumë për futbollin kosovar për zhvillimin e tij. Me gjithë arritjet që pati në karrierën e tij dhe merita kryesore e tij për anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA, gjë të cilën futbolli kosovar po e ndjen sot dhe në zhvillimet e tij.