Dy talente të Shqipërisë po rriten te Cesena. Historia e tyre është shumë e veçantë pasi bëhet fjalë për dy vëllezërit binjakë, Cristian dhe Stiven Shpendi. Stiven është duke kaluar për momentin formën më të mirë pasi ka shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e fundit dhe janë ende vetëm 19 vjeç.
Pino Maiani ishte njeriu që zbuloi talentin e tyre. Për disa vite me radhë në krye të skautizmit të AC San Marino dhe më pas në Federatën e Futbollit të San Marinos, Maiani ka treguar më tepër për rrugën e Cristian dhe Stiven Shpendi.
“I pashë si fillestarë, ata kishin një avantazh ndaj të tjerëve. Ajo që më goditi para së gjithash ishin cilësitë e lindura natyrore, si teknika dhe aftësia për t’u shkëputur. Më pas ishte pasioni, dëshira dhe shpirti i garës. Ata ishin dy fëmijë të jashtëzakonshëm dhe me sa shoh janë edhe tani që janë burra të vegjël. Më besoni, për të arritur këtu ku janë tani, ata bënë sakrifica të jashtëzakonshme dhe uria e tyre i bëri ata të bëhen futbollistë të vërtetë.
Kur arritën në moshën 14 vjeçare, filluan punën me trajnerin Masolini, që sipas meje binjakët i detyrohen shumë. Masolini është trajner kërkues dhe i ashpër, rregullat e tij duhet të respektohen gjithmonë. Në një nga miqësoret e para ndodhi që binjakët mbërritën me vonesë dhe Masolini i çoi në stol, duke vënë njërin prej tyre të luajë rolin e linjës. Babai u tërbua dhe donte që t’i nxirrte prej andej.
Për një javë shkova çdo ditë për ta takuar trajnerin dhe më në fund binjakët filluan që të luanin sërish. Të dy ata janë të fortë, por për mua Cristian ka qenë gjithmonë më i miri, binjaku dominues. Do të doja të dija se çfarë mendojnë për ta drejtuesit e Sasuolos, Bolonjës dhe Spalit. Ua tregova që në vitin 2017 dhe i refuzuan sepse ishin shumë të dobët”, tha Maiani. /Sport Ekspres/