Pas Hysës, krutanët gati akordin me ish-sulmuesin e përfaqësueses rumune, Kostea. Pritet edhe organizatori Ferfelea
Bujar Balliu
Kastrioti duket se po mendon që të blindojë skuadrën në pjesën e dytë të sezonit dhe synimi i krerëve më të lartë të skuadrës krutane është afrimi i lojtarëve që do të bëjnë diferencën, madje jo vetëm në radhët e tyre por në krejt Kategorinë e Parë. Kastrioti ka hyrë në merkato edhe pse ajo nuk është hapur zyrtarisht. Së fundmi drejtuesit krutanë kanë arritur akord me sulmuesin shtatshkurtër Vilfor Hysa, i cili pritet të jetë një afrim që do t’iu bëjë mjaft punë krutanëve, por jo vetëm kaq. Krutanët së fundmi kanë arritur akord me dy futbollistë rumunë, të cilët lanë luajtur me skuadrat më të mira në shtetin e tyre. Madje, njëri prej tyre ka luajtur edhe me kombëtaren Rumune në vitet 2008-2010.
RUMUNËT – I pari është Florin Kostea, është sulmues 32-vjeçar, i majtë ose qendër, ka luajtur për kombëtaren rumune në periudhën 2008-2010. Ka luajtur thuajse gjithë karrierën në Rumani, me klubet më të rëndësishëm aty, nga Universitatea e Krajovës, te Steaua Bukureshtit e te Kluzhi. Në vitin 2017 ka luajtur me Ramnicu Valçea fillimisht dhe te Shirineasha prej tetorit, për të rigjetur formën fizike, në pritje të ofertave serioze.
MESFUSHORI – Lojtari tjetër që krutanët kanë deklaruar se do të jenë pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit, është edhe Viorel Ferfelea, që gjithashtu është 32-vjeçar, mesfushor organizator ose trekuartist. Ka luajtur për shumë vite me Sportulin dhe Universitatea Krajovën, sezonin e shkuar ishte te Targu Muresh. Edhe ky aktualisht është lojtar i lirë dhe për të mbajtur veten në formë ka luajtur për disa skuadra në pritje të një klubi të ri. Në bazë të akordit paraprak, dy futbollistët rumunë pritet të mbërrijnë në Shqipëri më 7 janar, dhe do t’i bashkohen skuadrës krutane e cila më 10 janar do të nisë një fazë përgatitore dy javore në Golem.