Dy lojtarët e Junajtedit u zunë pas ndeshjes, trajneri: Kjo është një shenjë e mirë, na duhet të ndjejmë diçka

Hojlundi i dha Mançester Junajtedit tre pikë mjaft të rëndësishme mbrëmjen e sotme në Ligën e Europës. Por pavarësisht dy golave të shënuar, futbollisti i “djajve të kuq” e mbylli ndeshjen i tensionuar. Hojlundi pati një konflikt me shokun e tij të skuadrës, Dialon, menjëherë pasi përfundoi takimi. Arsyeja ishte zgjedhja e Dialosë për të mos pasuar në një rast mjaft të pastër në minutën e fundit të ndeshjes.

I pyetur në lidhje me këtë episod, Amorimi ka dhënë një përgjigje të papritur. Trajneri i Mançester Junajtedit është shprehur se e sheh këtë zënkë si një shenjë shumë të mirë. Sipas tij, kjo tregon se lojtarët po e ndjejnë ndeshjen dhe u intereson fitorja.

“Për mua është e përkryer. Është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të ndjejmë diçka… Nëse na duhet të zihemi me njëri-tjetrin, është si në një familje. Kur nuk të intereson diçka, nuk bën asjgë. Por kur të intereson, zihesh edhe me vëllain, babain ose mamanë”, ka thënë Ruben Amorimi./Sport Ekspres/