Nga Klaudio Ndreca
Egbo vazhdon të bëj një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë për faktin se ka hyrë në histori si trajneri i parë afrikan që fiton në Europë. Kjo nuk është një arritje e vogël për teknikun e bardhebluve duke u shndërruar në një protagonist kryesor të Superiores, për të fituar gjithashtu edhe vëmendjen e të huajve. Në një intervistë për “BBC Sport”, Egbo ka treguar edhe racizmin që ka përjetuar në Shqipëri. Shpeshherë njerëzit e ofendojnë duke menduar se nuk e kupton mirë gjuhën tonë, megjithëse është krejtësisht e kundërta.
“Ka njerëz që nuk duan që unë të fitoj për shkak të ngjyrës sime. Ka racizëm, një ndeshje më kanë hedhur banane dhe më kanë pështyrë. Policët kishin frikë të shkonin te tifozët. Mua më duhej vetëm që ta pranoja. Një ditë dy burra në autobus flisnin shqip: “Ky mund të jetë i Al Kaedës”. “A mbaruat i thashë?”, dhe menjëherë mezi po prisnin që të zhdukeshin. Në Afrikë më thanë: “Nuk e dini se çfarë keni bërë për ne me këtë kampionat të fituar. Ishte si kur Obama fitoi në Amerikë, saktësisht mënyra sesi shihet këtu”, tha Egbo. /Sport Ekspres/