Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria është duke vazhduar përgatitjet sa i përket ndeshjeve miqësore që do të zhvillojë në muajin qershor, përpara testit të parë të madh të 15 qershor, në stadiumin e Dortmundit, atje ku do të përballet me Italinë. A do të arrijë kjo Kombëtare që të bëj realitet një fantazi të shfrenuar të tifozëve? A do të arrijë kjo Kombëtare që të shkruajë historinë e vërtetë, atë të kalimit të grupeve? A do të arrijë kjo Kombëtare që të quhet më e mira e historisë dhe emrat e këtyre lojtarëve të shkruhen me gërma të arta? Mbetet që të shihet!
Sigurisht që vëmendja kryesore e tifozëve është ajo e formacionit. Lista është publikuar për në Europian dhe nuk priten ndryshime të mëdha. 27 lojtarë janë thirrur në listën provizore dhe nëse nuk do të ketë dëmtime, një prej katër portierëve do të largohet nga lista dhe 26 të tjerët do të zyrtarizohen në Gjermani.
Silvinjo nuk merr asnjë vendim më kot. Të gjithë u habitën kur panë katër portierë, por me një Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha që nuk po luajnë më në ekipet e tyre, trajneri po fillon të rinovojë ekipin dhe po mendon për kualifikueset e Botërorit. Për këtë arsye ka marrë edhe dy portierë të tjerë, në mënyrë që jenë sa më shumë të shkrirë me ekipin kombëtar dhe që të përdoren në të ardhmen.
Por në listën përfundimtare njëri prej tyre do të largohet dhe kështu në EURO24 do të shkojnë 26 të tjerët. Ndryshime rrënjësore do të ndodhin vetëm në raste dëmtimesh, pasi Silvinjo do të punojë të gjithë idetë e tij në këto ndeshje miqësore për mënyrën sesi do të luhet në Europian. Është e pamundur që në datën 7 qershor kur të zyrtarizohet lista përfundimtare, një lojtar i ri krejt papritur t’i bashkohet Shqipërisë dhe të përfshihet 1 javë para ndeshjes me Italinë, duke humbur pjesën më të rëndësishme të seancave stërvitore. (Videon e plot shpjeguese e gjeni më poshtë)
Por si pritet që të luajë Shqipëria në Europianin e Gjermanisë? Nëse marrim për bazë mënyrën sesi Silvinjo ka luajtur në kualifikuese, skema është e qartë, nga leximi që mund t’i bëjmë trajnerit. Në portë Berisha fiton balotazhin me Strakoshën për shkak të eksperiencën, pasi sa i përket minutave, të dy kanë qëndruar në stol në ekipet përkatëse.
Në vijën e mbrojtjes është e padiskutueshme linja e përdorur gjatë gjithë kohës, të pandryshueshëm. Hysaj-Ismajli-Gjimshiti-Mitaj. Para tyre si dy shkatërruesa dhe mbrojtje që kundërshtari të mos përplaset menjëherë në fazën e fundit të prapavijës, do të jenë Ramadani dhe Kristjan Asllani.
Disi më i avancuar është Nedim Bajrami, që në skemën e Silvinjos ka më shumë detyra fantazie dhe nisje kundërsulmesh, por pa harruar edhe mbulimet që duhet t’i bëjë kundërshtarëve. Që në takimin e parë të tyre, Silvinjo ka vënë re një difekt të Bajrami dhe e ka përmirësuar atë, të marrë më shumë pjesë në detyrat mbrojtëse. Jo më kot edhe trajneri i Sasuolos është shprehur se Bajrami po qëndronte jashtë në Serinë A, për të njëjtën arsye. Një detyrë që e ka përmirësuar shumë te Shqipëria pas bisedës me Silvinjon, por jo te Sasuolo.
Sa i përket sulmit zgjedhja është shumë më e thjeshtë, Asani-Broja-Seferi. Broja është padyshim lojtari i preferuar i Silvinjos, këtë e ka shprehur qartë edhe pas ndeshjes me Suedinë, ndërsa ia ka treguar edhe në biseda personale sulmuesit të Chelsea, rëndësinë që ai ka për Shqipërinë dhe skemat e tij.
Por ekziston edhe një mundësi tjetër, për një modul tjetër të Silvinjos. Duke marrë parasysh faktin se do të luajmë në një grup ferri dhe me tre pesha të rënda si Italia, Kroacia dhe Spanja, dikush duhet të sakrifikohet. Në këtë rast, skema dhe Seferi. Këtu dalim edhe në shpjegimin e lënies jashtë të Keidi Bares dhe afrimit të Amir Abrashit. Ka shumë mundësi qës Silvinjo të përdor skemën 4-3-3, duke hequr Bajramin si fantazist dhe duke futur tre lojtarë në mesfushë që kanë në profilin e tyre detyrat mbrojtëse dhe që i bëjnë ato me notën 10. Duke mbajtur të njëjtët lojtarë sa i përket mbrojtjes dhe portierit, në mesfushë mund të hidhet Ramadani-Abrashi-Asllani ose Ramadani-Laçi-Asllani. Në këtë mënyrë Silvinjo përdor muskujt dhe energjinë e pashtershme të Ramadanit, Abrashit ose Qazim Lacit, të cilët vrapojnë pafundësisht dhe nuk u mbaron kurrë karburanti. Ndërkohë Kristjan Asllani është shumë mirë i disiplinuar në detyrat mbrojtëse, por cilësitë e mëdha në këmbët e tij për vertikalizime të bukura dhe korridore fantastike, do të përdoren për t’i dhënë më shumë fantazi mesfushës.
Ndërkohë Nedim Bajrami do të marrë vendin e Taulant Seferit. Jo më kot Silvinjo e përdori Nedim Bajramin në këtë pozicion në ndeshjen kundër Suedisë, duke e studiuar si mundësi dhe mesfushori i Sasuolos u përgjigj pozitiv pjesërisht në atë takim. Mbetet që të shihet me vëmendja gjendja e tij fizike pasi nuk ka zhvilluar shumë ndeshje në Serinë A.
Pra treshja e sulmit do të kalonte Asani-Broja-Bajrami. Por cilat janë balotazhet e Kombëtares për një vend në formacion? Pjesa e mbrojtjes është e pazëvendësueshme, Silvinjo nuk ka asnjë dyshim në kokën e tij, Hysaj-Ismajli-Gjimshiti-Mitaj. Gjithashtu Ajeti preferohet më shumë se Kumbulla për momentin dhe ministri i mbrojtjes së Europianit të Francës do të jetë alternativa e parë në rast të dëmtimit të Gjimshitit ose Ismajlit.
Gjasula do të jetë një “AS” nën mëngë për Silvinjon. Ky lojtar preferohet të futet më shumë në momentet e fundit të lojës, kur kundërshtari është hedhur i gjithi përpara të kërkuar golin dhe për të sulmuar Shqipërinë. Në ato momente kur Shqipëria mund të jetë në avantazh ose kërkon të mbrojë barazimin, Silvinjo do të hedh në fushë Klaus Gjasulën për të fituar duelet ajrore dhe për të hequr topat e rrezikshëm në drejtim të portës tonë, centimetrat e Klausit do të jenë jetike.
Sepse kështu funksionon futbolli, kështu funksionon mbi të gjitha Kombëtarja. Nuk ka rëndësi sesa minuta luan, puna e gjithsecilit është me rëndësi jetike, pavarësisht momentit kur hidhet në fushë. Nëse Klaus Gjasula nuk do të ishte në këtë listë do të ishte një humbje e madhe për Shqipërinë, pavarësisht se nuk është projektuar si titullar më herët.
Ndërkohë pavarësisht golave të shumtë të Rei Manaj në Turqi, duket se lojtari i Sivasporit do të jetë vetëm një zgjedhje e tretë për Silvinjon. Mirlind Daku është sulmuesi i dytë më i preferuar për trajnerin e Shqipërisë, që shihet si zëvendësuesi ideal i Brojës. Një tjetër “AS” nën mëngë për Silvinjon është Ernest Muci. Një lojtar që vjen shpeshherë nga stoli, por me aftësi të jashtëzakonshme dhe me cilësi për të zgjedhur ndeshjen individualisht dhe me goditje brilante nga distanca.
Vlen të theksohet se shumë prej golave që ne kemi shënuar në kualifikuese janë nga distanca dhe Silvinjo kërkon të përsëris të njëjtën magji edhe në Gjermani. Duke parë ndeshjet kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, Shqipëria ka si mundësi të vetme zgjidhjen e ndeshjes me gjuajtje nga jashtë zone. Për këtë arsye në listën e trajnerit janë shumë futbollistë që kanë në veti që të shënojnë në këtë mënyrë dhe janë hequr nga lista lojtarë që nuk njihet për një goditje të mirë nga distanca.
Nuk duhet të harrojmë edhe Arbër Hoxhën që hap konkurrencë të fortë në krahun e majtë të sulmit, madje Munishi e ka quajtur si dribluesin më të mirë në lojën një kundër një, në gjithë historinë e Shqipërisë. Pozicionet janë të gjitha të dubluara apo në disa raste edhe me 3 lojtarë për pozicion, por vetëm krahu i Jasir Asanit nuk është i tillë. Praktikisht Asani është i vetmi në rolin e tij si sulmues i krahut të djathtë. Në këtë rol mund të përdoret edhe Ernest Muci, megjithatë kur ka luajtur te Beshiktashi në pak ndeshje në këtë rol, tifozët e Beshiktashit kanë kritikuar trajnerin që e ka dërguar aty. Kjo pasi Muci nuk shprehet në mënyrën më të mirë dhe pozicionin e tij ka vendin e Bajramit pas sulmuesit ose të Seferit si sulmues i krahut të majtë. Megjithatë ekziston edhe një mundësi e mirë që në momentin kur Asani të lërë fushën e lojës në pjesën e dytë, Silvinjo të spostojë Armando Brojën në krahun e tij dhe më pas të aktivizojë Mirlind Dakun si sulmues pykë. Kjo është pak a shumë ideja apo skema sesi Shqipëria pritet që të luajë në EURO24, me formacionin që është qartësisht i kristalizuar në mendjen e Silvinjos.
Pavarësisht gjithë diplomacisë dhe ndikimit emocional që Silvinjo donte t’i jepte listës, në respekt të kontributit që kanë dhënë lojtarët që mungojnë, trajneri e kishte të qartë që në momentin e parë se kë do të merrte me vete në Gjermani. Gjithashtu një “AS” tjetër nën mëngë për Silvinjon, por këtë herë jashtë fushe, është video-analisti i FSHF, Alarico Rossi. Një njohës fantastik i futbollit, mban statistikat e lojtarëve në detajet më të vogla. Të gjithë e komplimentojnë italianin Rossin për njohuritë e mëdha rreth futbollit. Së bashku me të Silvinjo ka analizuar tek e tek çdo lojtar të Italisë, Kroacisë apo Spanjës, për mënyrën sesi ata driblojnë, pasojnë, lëvizin trupin, sesi sillen pa top dhe sesi ushtrojnë presion karshi kundërshtarit. Praktikisht Alarico Rossi dhe Silvinjo dinë çdo lëvizje të kundërshtarit ende pa nisur ndeshja. Por a do të arrijnë djemtë tanë që të fusin në punë të gjitha idetë e Silvinjos? Kjo mbetet të shihet! /Sport Ekspres/