Duro: Unike! Bëhet e pamundura për të dëmtuar Flamurtarin

0

Trajneri i vlonjatëve flet para sfidës me Kamzën. Vlerëson kundërshtarin, thumbon gjyqtarët e FSHF-në, si dhe lë të hapur mundësinë e rinovimit me Jakovljeviçin

Elton Nika

Flamurtari i Shpëtim Duros e mbyll vitin 2017-ën dhe Superligën përballë Kamzës, në një ndeshje mjaft delikate dhe shumë të vështirë. Kjo edhe pse Kamza, pavarësisht dy javëve të fundit ka bërë mjaft mirë deri tani në kampionat. Vlonjatët vijnë pas humbjes 0-1 përballë Laçit javën e kaluar dhe kërkojnë e synojnë ta mbyllin sa më pozitivisht vitin. Natyrisht, shpresohet të mos ketë ndikim nga gjyqtarët ashtu siç dhe ka ndodhur deri tani, siç edhe konfirmon trajneri Shpëtim Duro. Ai situatën me Flamurtarin e ka quajtur një rast unik, pasi dënimet shtohen java-javës për vlonjatët.

-Ndeshja e fundit përballë Kamzës, si është gjendja në skuadër?

-Siç dihet, me përjashtim të Bushiçit që mungon për shkak dëmtimi, pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Gjendja në skuadër është mjaft e mirë. Luajmë ndeshjen e fundit ndaj Kamzës dhe synojmë që ta mbyllim sa më pozitivisht këtë vit, pasi deri tani kemi bërë mirë dhe duam të vijojmë kështu. Gjendja tek lojtarët është mjaft pozitive edhe pas javës së kaluar, që tashmë e kemi lënë pas. Vëmendja jonë mbetet vetëm te Kamza.

-I druheni sërish gjykimit edhe në këtë sfidë?

-Jam 20 vjet trajner, duke drejtuar disa skuadra në kampionatin shqiptar. Ka patur raste në skuadra të tjera ku edhe jam ndihmuar apo penalizuar, por kjo që po ndodh këtë vit, që jam tek Flamurtari është një rast unikal për futbollin shqiptar. Gjyqtari javën e kaluar në ndeshjen me Laçin kishte ardhur me synime të qarta: vetëm për të dëmtuar Flamurtarin. Në asnjë rast nuk mund të thuhet se kishte gabime njerëzore. Për herë të parë ndoshta edhe duke parë studiot televizive, por padyshim edhe analizat e ish-gjyqtarëve janë të gjithë në unison, se gjithçka është bërë e bëhet për të dëmtuar Flamurtarin. Kjo është unike për futbollin shqiptar.

-Shpresoni mos të ndodhë në Kamzë?

-Shiko, unë asnjëherë, por as futbollistët, nuk hyjmë në një ndeshje, duke menduar se do të goditemi nga gjykimi. Shpresoj që në Kamzë të luhet futboll dhe të fitojë skuadra që e meriton brenda fushës së blertë, pa u ndikuar nga gjykimi. Qoftë  Flamurtari, por edhe kundërshtari.

– Si e shikoni kundërshtarin, vjen pas dy humbjesh?

– Nuk e vlerësoj aspak Kamzën nga dy ndeshjet e fundit në kampionat. Normalisht dy humbjet, por nga fakti që është një skuadër mjaft cilësore, e me lojtarë që e njohin mjaft mirë kampionatin shqiptar. Kamza mbetet një skuadër mjaft e vështirë dhe padyshim që do të jetë një ndeshje e tillë. Padyshim, që kundërshtari kërkon maksimumin dhe pres një përballje mjaft të fortë, me një skuadër që në përgjithësi ka bërë mjaft mirë në kampionat.

– Priten ndryshime në formacion?

– Do të shohim para ndeshjes, por ndryshimet në formacion vijnë edhe në varësi të kundërshtarit, apo mungesave. Natyrisht që do të shohim për ndonjë ndryshim në formacion, por them se në përgjithësi do të jenë ata lojtarë që luajtën ndaj Laçit, me ndonjë ndryshim të vogël, që mund ta vendosim para ndeshjes.

– Flamurtari e ka nisur merkaton, pritet tjetër lëvizje?

– Unë jam pak i rezervuar për merkaton, edhe duke parë se grupi aktual është mjaft i mirë dhe po bën një kampionat cilësor. Kemi bërë dy afrime cilësore dhe në vijim do të shohim se çfarë mund të përmirësojmë. Gjithçka varet nga ndonjë largim apo afrim që mund ta bëjmë, duke parë se na duhet lojtar në repartet ku mendojmë se duhet ndërhyrë.

– Alvesh dhe Jakovljeviç…

– Alvesh është një lojtar që ka kontratë deri në fund të sezonit. Është një lojtar që ka luajtur gjithmonë titullar dhe së fundmi u bë edhe kapiten i skuadrës. Ndaj nuk shoh ndonjë lëvizje, apo të ketë patur ndonjë kërkesë për lojtarin nga ndonjë klub tjetër. Ndërsa Jakovljeviçit i mbaron kontrata në fund të dhjetorit dhe pas përfundimit të kampionatit do të diskutojmë ku varen shumë gjëra në një rinovim. Është një lojtar shumë cilësor, ndaj vetëm pas Kamzës do të shihet se çfarë do të bëhet.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.