Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, është dukur shumë i mërzitur pas barazimit të djeshëm ndaj Skënderbeut. Ai është i bindur se skuadra e tij meritonte fitoren. Pas ndeshjes trajneri i Flamurtarit theksoi mes të tjerash se nuk pret asnjë penallti, duke lënë të kuptohet se kishte shumë rezerva për gjykimin.
“Komplimente skuadrës për çfarë dha në fushë, pasi përballë kishim Skënderbeun. Skuadra bëri detyrën në këtë ndeshje, kur luanim ndaj një kundërshtari, që i dihet forca. Por sot (dje) e meritonim patjetër fitoren. Shënuam, kontrolluam dhe mbyllëm mirë, por kam shumë rezerva sërish për gjykimin. Nuk e kuptoj pse u anulua goli. Pozicion jashtë loje? Kemi Radasin në shtyllën e dytë. Është rasti i dytë. Nuk di çfarë të them. 11-metërsh nuk kemi marrë dhe nuk besoj se do marrim deri në fund të kampionatit. Çfarë të bëjë me shumë skuadra? Nuk na jepet penallti me Kukësin, tani na anulohet goli, çfarë t’i kërkoj skuadrës? Kemi luajtur mirë dhe mendoj se duhej të merrnim më shumë. Nuk është sjellje e mirë e gjykimeve dhe më vjen keq për skuadrën dhe tifozët”.
BARAZIMET-KUNDËRSHTARI – “Janë të pranueshme barazimet me Kukësin dhe Skënderbeun, por mund të kishim fituar për atë që kemi dhënë në fushë. Flamurtari ka merituar më shumë. Duhet ta kishim zgjidhur më shpejt situatën. Gabime ka, siç ishte momenti i golit të Muzakës. Skënderbeu mund të ketë pasur mungesa, por ka shumë kualitet dhe i ka zëvendësuar me lojtarë shumë cilësorë në këtë ndeshje. Nuk diskutohen mungesat te Skënderbeu. 9 futbollistë titullarë Skënderbeu i pati në lojë. Edhe ne kishim mungesën e Pollozhanit. Jam shumë i kënaqur me skuadrën, edhe pse nëse do të ishim më të kujdesshëm, do të merrnim një fitore të merituar. I jap nota shumë pozitive skuadrës”,- ka thënë trajneri i Flamurtarit.