Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk ka pasur asnjë kritikë për skuadrën e tij, pas humbjes ndaj Laçit. Për Duron loja ishte shumë e mirë dhe kuqezinjtë bënë gjithçka, por humbja erdhi nga një arbitrim skandaloz.
“Jam i kënaqur nga skuadra, luajti futboll dhe dha gjithçka. Nuk kam ç’ti kërkoj skuadrës, duhet të shohim disa episode, pasi ndeshja u vendos nga një arbitër kamikaz. Skuadra ishte nën presion të madh psikologjik, meriton notën 10 përveç rezultatit. Nëse arbitri do të ishte më korrekt, do të shkonte ndryshe. Nuk jam i shqetësuar nga loja e skuadrës, gjithsesi.
“Penalltia? Nuk ka nevojë ta rishoh, dukej qartë që nuk ishte penallti ajo e djeshmja, ndërsa sot pamë sërish dy episode në zonën e Laçit dhe misioni i arbitrit ka qenë i qartë, për të dëmtuar Flamurtarin, ashtu si në ndeshjen me Skënderbeun. Gjithnjë ky arbitër më arbitron me Laçin dhe Hamiti me Kukësin. Nuk janë rastësi, duken përzgjedhje të qëllimshme, e di mirë si funksionon. Me një gjykim më korrekt, këtë sezon do të ishim më pranë Skënderbeut. Kemi pësuar shumë pak gola këtë sezon dhe 5 prej tyre me 11 metërsh, nga të cilët shumica nuk kanë qenë fare, disa jashtë zone”.